SHBA hedh në erë një anije pranë Venezuelës, Hegseth: Eliminuam katër narko-terroristë

E publikuar: 03/10/2025 20:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ushtria amerikane ka kryer një sulm vdekjeprurës me dron ndaj një anijeje me shpejtësi të lartë që ishte përfshirë në kontrabandën me drogë në ujërat ndërkombëtare pranë brigjeve të Venezuelës.

Katër persona që Uashingtoni i quan narko-terroristë u vranë në sulm, njoftoi sot sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Pete Hegseth.

Sipas Hegseth, operacioni u krye me urdhër të presidentit Donald Trump, raporton KosovaPress.

“Inteligjenca jonë ka konfirmuar pa asnjë dyshim se anija po transportonte narkotikë, njerëzit në bord ishin narko-terroristë dhe po lundronin në një rrugë të njohur kontrabande”, shkroi Hegseth në rrjetin X.

Ai shtoi se sulme të tilla do të vazhdojnë derisa të hiqet kërcënimi për jetën amerikane.

Në Venezuelë, presidenti Nicolas Maduro ende nuk i është përgjigjur sulmeve të SHBA-së, por ministri i tij i Komunikimit, Freddy Nanez, ka sugjeruar që pamjet e publikuara nga Shtëpia e Bardhë mund të jenë gjeneruar duke përdorur inteligjencën artificiale. Në një postim drejtuar X, ai sugjeroi që uji në video “duket shumë i stilizuar dhe i panatyrshëm”.

BBC ka kontrolluar klipin përmes SynthID – softuerit të zbulimit të inteligjencës artificiale të Google – dhe nuk ka gjetur prova që pamjet janë të rreme.

Sulmi amerikan është i fundit në një seri veprimesh të intensifikuara kundër trafikimit të drogës që kur Trump i caktoi kartelet ndërkombëtare si organizata terroriste të huaja në shtator 2025.

Sipas Pentagonit, të paktën tri sulme të ngjashme janë kryer në Karaibe që atëherë, duke fundosur anije të shumta dhe duke vrarë midis 17 dhe 20 persona.