Liderët evropianë kanë riafirmuar mbështetjen e tyre për Ukrainën në mbyllje të samitit të Komunitetit Politik Evropian, me kryeministren e Danimarkës që paralajmëroi se Rusia po e “teston” Evropën përmes provokimeve dhe sulmeve hibride.
Duke iu referuar Ukrainës, Mette Frederiksen tha se takimet konfirmuan “mbështetjen tonë të palëkundur” përballë provokimeve “në rritje” nga Moska drejt Evropës.
“Është e qartë për të gjithë se Rusia është një kërcënim, jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë Evropën. Rusia po na vë në provë dhe më shumë se kurrë, ne duhet të qëndrojmë të fortë së bashku”, tha ajo, duke përmendur shkeljet e hapësirës ajrore, sulmet me dronë, presionin mbi kufijtë, ndërhyrjen në zgjedhjet demokratike dhe sulmet kibernetike mbi infrastrukturën kritike.
Frederiksen bëri thirrje për mbështetje më të fortë për Kievin, si përmes furnizimeve me armë ashtu edhe përmes sanksioneve shtesë kundër Rusisë.
“Do të doja që të gjithë evropianët ta shihnin në këtë mënyrë, se çdo euro ose dollar ose koronë daneze që i dërgojmë Ukrainës është një investim i drejtpërdrejtë në sigurinë evropiane. Detyra që kemi përpara është ta bëjmë Evropën aq të fortë sa një luftë kundër nesh të mos jetë më një opsion.”
Lidhur me çështjen e zgjerimit të BE-së, Frederiksen theksoi se 26 shtete anëtare janë të bashkuara, pavarësisht kundërshtimit të Hungarisë ndaj anëtarësimit të Ukrainës në bllok.
“Nuk do të lejoj një vend, dhe sigurisht nuk do të lejojë (kryeministrin e Hungarisë) Viktor Orban të marrë vendime për të gjithë të ardhmen evropiane. Pra, nuk e di se çfarë është një zgjidhje e mesme, por nëse një zgjidhje e mesme do të thotë që ne nuk do të bëjmë atë që është gjëja më e mirë për të bërë për Evropën, atëherë nuk mendoj se një zgjidhje e mesme është një ide e mirë.”
Kur u pyet nëse Danimarka dhe Evropa në tërësi janë të gatshme të ndihmojnë Ukrainën të rrisë prodhimin e dronëve dhe raketave, ajo thjesht tha: “Po”.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u pyet në lidhje me sulmet e mundshme ndaj infrastrukturës energjetike ruse, si dhe mundësinë e blerjes nga Kievi të sistemeve të raketave me rreze të gjatë veprimi. Ai këmbënguli që Ukraina të veprojë vetëm në përgjigje të sulmeve ruse, raporton KosovaPress.
Lidhur me çështjen e aftësive me rreze të gjatë veprimi, ai tha: “Pas takimit tim me presidentin e SHBA-së, po, ndoshta do të kemi diçka më shumë. Nuk e di. Do ta shohim.”
Frederiksen tha se puna për pranimin e Ukrainës në BE duhet të vazhdojë pavarësisht kundërshtimit të Budapestit.
“Nëse nuk jemi në gjendje ta bindim Orbanin, atëherë thjesht mendoj se duhet të vazhdojmë me të gjithë punën që duhet bërë midis Ukrainës dhe Komisionit Evropian”, tha ajo.
Lidhur me kreditë e dëmshpërblimit për Ukrainën, ajo pranoi se mbeten “shumë pyetje” të natyrës teknike dhe ligjore, por tha se çështja në fund të fundit kërkonte një vendim politik.
“E di që qeveria në Belgjikë e ka shumë të vështirë këtë, por shpresa ime është, dhe besimi im, se do të jemi në gjendje të gjejmë një zgjidhje që do të marrë mbështetje nga të 27 vendet.”
Kujtojmë, EPC u lansua në vitin 2022 me iniciativën e presidentit francez Emmanuel Macron në përgjigje të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës. Ajo u krijua si një forum për dialog dhe bashkëpunim midis kombeve evropiane, si brenda ashtu edhe jashtë BE-së, pa formalitetin e vizitave shtetërore, transmeton Anadollu.


















