Osmani takohet me kryeministrin e Holandës, kërkon mbështetjen e tij për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

E publikuar: 02/10/2025 17:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar në Kopenhagë me kryeministrin e Holandës, Dick Schoof.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se me kryeministrin holandez kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë dhe për mundësinë e forcimit të partneritetit mes Kosovës dhe Holandës, transmeton KosovaPress.

Osmani po ashtu ka kërkuar nga Schoof mbështetje për finalizimin e procesit të heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës të cilat ajo i quajti të padrejta dhe të dëmshme për qytetarët e vendit.

“Në Kopenhagë, me Kryeministrin e Holandës, Dick Schoof, diskutuam për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, për forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Holandës, si dhe për thellimin e bashkëpunimit tonë ekonomik. Gjithashtu, kërkova mbështetjen e Holandës për finalizimin e procesit të heqjes së masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat po dëmtojnë të gjithë qytetarët tanë”, ka shkruar Osmani në Facebook.