Mëshqerra për fermerët para zgjedhjeve lokale, tenderi gjysmë milioni i Bulliqit në OSHP

E publikuar: 01/10/2025 07:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në prag të zgjedhjeve lokale, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka vendosur t’i shpërblejë disa fermerë me meshqerra, si pjesë e një projekti të financuar nga buxheti i komunës. Mirëpo tenderi për furnizim me meshqerra, në vend që të përmbyllet me shpërndarjen e tyre te përfituesit, i ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), raporton Infosot.

Rreziku nga ankesa e dorëzuar aty është që Bulliqi të mos arrijë t’i shpërndajë meshqerrat para zgjedhjeve lokale, apo gjatë fushatës, duke e lënë këtë projekt pa e shfrytëzuar si kartë politike për të fituar përkrahjen e fermerëve dhe qytetarëve të tjerë.

Tenderi i Komunës së Podujevës për furnizim me meshqerra, me vlerë të parashikuar prej 429 mijë euro, ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit pas një ankese të paraqitur nga operatori ekonomik “Apetiti”. Ky operator ka kërkuar nga institucioni përgjegjës që të shqyrtojë në detaje gjithë procedurën e zhvilluar nga komuna, duke pretenduar se janë bërë shkelje të shumta ligjore që e cenojnë procesin dhe barazinë në konkurrencë.

Në ankesë theksohet se komisioni i formuar për vlerësimin e ofertave nuk është përzgjedhur në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik. Sipas “Apetitit”, në këtë komision janë emëruar persona që nuk kanë të drejtë ligjore të jenë pjesë e tij, duke u cilësuar kështu si një komision i kundërligjshëm, i paaftë të marrë vendime që mund të qëndrojnë juridikisht.

Ky fakt, sipas ankesës, përbën bazën e parë për pavlefshmërinë e procedurës së tenderimit. Përveç kësaj, operatori ekonomik pretendon se gjatë procesit të zhvilluar janë ndjekur hapa që bien ndesh me procedurat standarde të parashikuara me ligj. Në vend të një gare të hapur dhe transparente, sipas ankueses, është krijuar një ambient ku dyshohet për favorizim të operatorëve të caktuar dhe ku nuk është respektuar parimi i trajtimit të barabartë të të gjithë pjesëmarrësve.

Në këtë linjë, ankuesi, pretendon se autoriteti kontraktues ka ndërmarrë veprime që cenojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë konkurrencën e ndershme dhe që krijojnë hapësirë për dyshime mbi drejtësinë e gjithë procesit. Një tjetër pretendim i ngritur në ankesë ka të bëjë me dokumentacionin e tenderit.

Sipas ankuesit dokumentacioni i përgatitur nga Komuna e Podujevës ka pasur mangësi dhe paqartësi të shumta, duke përfshirë specifikime jo të qarta dhe kritere që nuk i përgjigjen standardeve të përcaktuara me ligj. Operatori ankues pretendon se tenderi ka qëllim për të përshtatur kriteret sipas nevojave të një operatori të caktuar. Në ankesë përmendet se praktika të tilla cenojnë drejtpërdrejt buxhetin publik dhe rrezikojnë që një kontratë e rëndësishme prej 429 mijë euro të mos realizohet në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme.

Operatori ekonomik ka kërkuar nga OSHP që të ndërhyjë dhe të anulojë tenderin në tërësi, duke argumentuar se vazhdimi i një procedure të tillë do të dëmtonte jo vetëm konkurrencën, por edhe interesin e publikut dhe të qytetarëve të Komunës së Podujevës.

Rasti tani është në shqyrtim dhe OSHP pritet të marrë një vendim pas analizimit të të gjitha pretendimeve dhe dokumenteve të dorëzuara./Infosot/

ANKESA, KK Podujeve, Meshqerrat (Dokument)