Begaj takim me Milanoviq: Partneriteti NATO–BE, i rëndësishëm për sigurinë në Ballkan

E publikuar: 22/09/2025 19:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Republikës së Shëipërisë, Bajram Begaj ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si Kryesues i delegacionit shqiptar në punimet e Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Presidenti Begaj, po merr pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që zhvillohet në Nju-Jork në datat 22-27 shtator 2025.

Në selinë e OKB-së, Begaj zhvilloi edhe një takim me Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq.

Begaj u shpreh se Milanović është mbështetës i fortë i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Në selinë e OKB-së me mikun tim dhe të shqiptarëve, Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanović, mbështetës i fortë i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Për dy vendet tona, partneriteti strategjik i NATO-s me BE-në është veçanërisht i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, shkroi Begaj në një postim në rrjetet sociale.

Gjatë kësaj jave, Kreu i Shtetit do të mbajë fjalën e tij në Debatin e Përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme, ku do të prezantojë qëndrimet e Shqipërisë mbi çështjet kryesore, përfshirë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, multilateralizmin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe të drejtat e njeriut, shkruan ATSh.

Agjenda e Presidentit Begaj përfshin edhe pjesëmarrjen në disa aktivitete të rëndësishme shumëpalëshe.

Kreu i Shtetit do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me homologë të tij dhe përfaqësues të lartë të OKB-së.

Pjesë e agjendës së Presidentit Begaj do të jenë edhe takimet me përfaqësues të Diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vizita në shkollat ku fëmijët e Diasporës mësojnë gjuhën amtare.