Instituti GAP ka publikuar të dhënat për përmbushjen e premtimeve në Komunën e Deçanit.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka reaguar ndaj publikimit të të dhënave nga Instituti GAP për përmbushjen e premtimeve të Komunës së Deçanit.
Ramosaj tha se është i lumtur për të gjitha ato premtime që janë përfunduar dhe to që kanë filluar e janë në proces, sepse sipas tij, ato tregojnë punën dhe përkushtimin tonë të përditshëm ndaj qytetarëve. Ai ka thënë se synimi i tij mbetet që Deçani të jetë ndër komunat më të mira në Kosovë.
“Megjithatë, raporti tregon edhe disa premtime që ende nuk janë realizuar, por që janë thelbësore për zhvillimin e Deçanit dhe nuk do të heqim dorë asnjëherë deri në realizimin e tyre”, ka shkruar Ramosaj. Ndërsa, Instituti GAP ka publikuar dje raportin për nivelin e përmbushjes së premtimeve zgjedhore për mandatin 2021-2025 që dhanë kryetarët e komunave në zgjedhjet e fundit lokale.
Ramosaj ka ndarë në postimin e tij në Facebook ka sqaruar arsyet pse nuk kanë përfunduar:
Ndërtimi i qendrës së skitarisë në Bjeshkët e Belegut – një projekt thelbësor për zhvillimin e turizmit malor, që kërkon buxhet të madh dhe mbështetje nga niveli qendror. Për shkak të kostos së lartë nuk është realizuar ende, por mbetet prioritet i yni dhe ne do të vazhdojmë ta kemi pjesë të programit.
Kalimi i menaxhimit të ujit nga niveli rajonal në kompetencë të komunës – proces i ndërlikuar që kërkon ndryshime ligjore dhe vendim në nivel qendror. Deri tani kjo nuk është bërë e mundur, por do të vazhdojmë të insistojmë që uji të menaxhohet nga komuna.
Ndërtimi i liqenit akumulues – ky është një projekt i domosdoshëm për furnizimin e qëndrueshëm me ujë të pijes dhe për mbështetjen e bujqësisë në Deçan. Për shkak të kostos së lartë dhe procedurave të gjata administrative nuk ka nisur ende, por mbetet një nga prioritetet tona kryesore.
Punësimi i të rinjve të kualifikuar – në konkurset e hapura të komunës kanë aplikuar dhe janë punësuar me qindra të rinj të kualifikuar, megjithatë nuk është vlerësuar si i plotësuar pasi në konkurset e punësimit nuk është theksuar në mënyrë të veçantë përparësia për ta. Për ne, rinia është prioritet dhe ne do të vazhdojmë të krijojmë edhe më shumë hapësira të reja punësimi.
Subvencionimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme – për shkak të mungesës së buxhetit nuk është zbatuar në nivelin e duhur, por kjo mbetet një nga pikat kryesore të programit tonë për zhvillimin ekonomik.
Dalja e Komunës së Deçanit e para në vlerësimin e performancës komunale nga MAPL – progresi çdo vit është i qartë, megjithëse penalizimet nga kontrata kolektive e miratuar nga niveli qendror kanë ndikuar në renditje.
Synimi ynë mbetet që Deçani të jetë ndër komunat më të mira në Kosovë.
Këto premtime do të vazhdojmë t’i kemi prioritet dhe do të vazhdojnë të jenë pjesë e planit tonë deri në realizimin e tyre.



















