
Kurti
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë përsëri besimin e këshillit të përgjithshëm të kësaj partie, si i nominuar për kryeministër për qeverinë e ardhshme.
Ai u propozua nga nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca, i cili tha se Kurti verdiktin e mori nga populli, pasi në zgjedhjet nacionale të nëntë shkurtit, ka qenë personi më i votuar në Republikën e Kosovës.
Në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka përmendur të arriturat e qeverisjes së tij dhe disa nga zotimet e qeverisë së ardhshme.
Kurti zotimeve ia filloi me valutën digjitale të Kosovës e cila do të përdoret për pagesa e deri në rritjen e pagës minimale në 500 euro.
Në këtë mbledhje u përmend edhe mos konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.
Kurti tha se nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese vonon, zvarrit, pengon dhe qëllimshëm dëmton procese të dobishme për qytetarët e vendit.
Pauzën 25 ditore për Kuvendin, Kurti e quajti absurde e të dëmshme, derisa Gjykatën Kushtetuese e quajti të njëanshme. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese po funksionin si “hije politike” e partive të tjera ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
“Gjykata Kushtetuese po funksion si një hije politike e opozitës ndaj Vetëvendosjes. Gjykata morri masë të përkohshme sipas kërkesës së Listës Serbe, e paarsyeshme dhe kërkoi që 120 deputetë të Republikës të vegjetojnë deri me 30 shtator, plot 25 ditë kot. Kjo është ngjashëm sikur ministri ynë i shëndetësisë Arben Vitia të lëshojnë një vendim mjekësor që ata shtatë gjyqtarë duhet të shkojnë në pushim mjekësor për shkak të gjendjen së renduar të tyre. Të vetmen dilemë që kam është nëse është më shumë absurde apo më shumë e dëmshme kjo masë 25 ditore, por që është edhe shumë absurde edhe shumë e dëmshme nuk kam dyshime. Nga gati katër muaj e gjysmë prej mesit të prillit deri te zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarit në fund të gushtit, tre muaj janë në vonesë të Gjykatës Kushtetuese. Një muaj e gjysmë kanë vonuar ta trajtojnë ankesën e AAK-së, po aq edhe të LDK-së dhe të PDK-së. Ne duam frymë bashkëpunimi, marrëveshje politike, ata vrap te Gjykata Kushtetuese. A e dini pse? Sepse pesë nga shtatë gjyqtarët e Gjykatës janë zgjedhur në vitin 2018, kur në pushtet ishte koalicioni PAN me Listën Serbe. Nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese vonon, zvarrit, pengon e qëllimshëm dëmton procese të dobishme për qytetarët e Kosovës”, tha Kurti.
Edhe nënkryetari i Lëvizjes, Glauk Konjufca u shpreh se Kushtetuesja më shumë ka qasje politike, në vend të asaj kushtetuese.
Sipas tij, kriza institucionale zgjati me mosvotimin e Albulena Haxhiut për kryetare të kuvendit, e në pjesën e dytë me mosvotimin e një nënkryetari nga pakicat serbe që nuk i përket Listës Serbe, duke i quajtur si qëndrime antishtetërore.
Konjufca shtoi se ose do të konsituohet kuvendi ose të shkohet në zgjedhje, e si skenarë të tretë e të rrezikshëm e sheh një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore, i cili ia jep Listës Serbe të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës.
“Të jesh kundër themelimit të Kuvendit do të thotë të jesh kundër vetvetes. Kriza institucionale zgjati sepse në pjesën e parë partitë opozitare vendosën që VV-ja të mos e ketë për kryetare të kuvendit Albulena Haxhiun, e në pjesën e dytë, kriza po zgjatë ende sepse po mendojnë se nuk ka Republikës e as Kuvend nëse nuk zgjidhët një nënkryetarë i Listës Serbe. Kur ishte çështja te kryetarja shqiptare e VV-së, partitë kundërshtare shumë lehtë u bënë bashkë për ta bllokuar, kur erdhi çështja te nënkryetari serb jashtë listë serbe, u mobilizuan që kjo të mos ndodhë dhe këto dy qëndrime janë antishtetërore. Edhe Gjykata Kushtetuese i kontribuoj krizës, qasja e saj ishte më shumë politike se kushtetuese. Gjykata nuk ka çka të interpretoj jashtë kushtetueses ose do të hapet rruga që Kuvendi të vazhdoj, apo të shkojmë në zgjedhje të reja. E skenari i tretë për të cilin as nuk mund ta imagjinoj është ai më i keqi i mundshëm, një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore i cili ia jep Listës Serbe dhe Beogradit të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës”, tha Konjufca.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim për caktimin e masës së përkohshme për ndalimin e çdo veprimi nga deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë pas ankesës së Listës Serbe.
Po ashtu, Kushtetuesja ka vendosur që masa e përkohshme të hyjë në fuqi më 5 shtator 2025, në kohëzgjatje deri më 30 shtator 2025.



















