Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj katër shtetasve të huaj, për përfshirje në një skemë të sofistikuar kriminale që përfshinte shpëlarje parash, lëshim të çeqeve pa mbulesë dhe keqpërdorim të kartelave bankare.
Sipas njofitmit të prokurorisë, të akuzuarit janë A.S., A.S. dhe S.O. – shtetas të Republikës së Turqisë dhe S.E. – shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sipas aktakuzës, në periudhën nga nëntori 2024 deri në shkurt 2025, të pandehurit, në bashkëkryerje, kanë regjistruar biznese fiktive në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) dhe kanë hapur llogari bankare të lidhura me këto biznese. Më pas, përmes POS-terminaleve, kanë keqpërdorur qindra kartela bankare ndërkombëtare të klonuara, përfshirë ato të shtetasve të Danimarkës dhe vendeve të tjera.
“Përmes këtyre veprimeve, ata kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme një shumë prej 372,900.42 euro. Paratë e fituara janë transferuar në llogaritë e tyre personale dhe më pas janë tërhequr nga bankomate të ndryshme ose janë transferuar jashtë vendit, kryesisht në Turqi, me qëllim të fshehjes së origjinës së tyre. Të njëjtit kanë kryer veprat penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, sipas KPRK-së. “Shpëlarja e parave”, sipas KPRK-së dhe Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit. Të pandehurit ndodhen aktualisht në masën e paraburgimit, dhe prokurori i rastit ka kërkuar vazhdimin e kësaj mase, për shkak të rrezikut të arratisjes dhe ndikimit në procesin gjyqësor”, thuhet në njoftim.

















