Serbët në veri presin përmirësim të marrëdhënieve me shqiptarët pas 12 tetorit

E publikuar: 06/09/2025 11:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve duhet të përmirësohen”, “kemi jetuar gjithmonë”, këto janë disa nga pritshmëritë e qytetarëve serbë që jetojnë në komunat veriore të Kosovës pas zgjedhjet komunale të 12 tetorit.

Krahas pritshmërive optimiste të qytetarëve edhe njohës të sigurisë konsiderojnë se në këtë pjesë të Kosovës kthim prapa në aspektin e sigurisë nuk do të ketë më.

Teksa pret zgjedhjet të drejta, pensionisti, Laketiq Miroslav e konsideron të gabuar veprimin e komunitetit serb që bojkotuan zgjedhjet e parakohshme të fillim-vitit 2023.

Ai pret që pas zgjedhjet komunale të 12 tetorit marrëdhëniet në mes të serbëve dhe shqiptarëve të jenë më të mira.

“Pas zgjedhjeve të 12 tetorit, mendoj se marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve, të paktën në veri të Kosovës, duhet të përmirësohen me faktin se serbët do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, dhe si populli shumicë në veri të Kosovës, pres që ata të fitojnë zgjedhjet sepse qeveria aktuale, qeveria lokale në Mitrovicën e Veriut dhe gjithashtu në veri të Kosovës nuk është legjitime, nuk kanë legjitimitet sepse nuk kanë numrin e votuesve pas tyre. Ka qen gabim të mos dilet në zgjidhje, që ky të fitoj me 3% zgjedhjet, dhe atëherë vije deri te konflikti, deri te situata të ndryshme, sepse nuk pyeten serbet, nuk është vullneti i shumicës së popullit por i pakicës, dhe aty ku vendos pakica, aty nuk ka fat, pres që zgjedhjet të jenë të drejta dhe korrekte”, theksoi ai.

Të ardhme më të mirë dhe pa konflikte pret edhe qytetarja tjetër serbe, Dragica.

“Mendoj se do të jetë, nëse Zoti do të jetë diçka më mirë, nuk do të luftojmë përjetësisht, të jemi të qetë, ne gjithmonë kemi jetuar së bashku dhe çfarë mungonte, a na mungonte diçka, asgjë nuk na mungonte, na sollën të huajat këtu për të më nxjerrë shpirtin”, shprehet Dragica.

Pas zgjedhjeve komunale në Kosovë që do të mbahen më 12 tetor edhe banorë të tjerë presin të ardhme më të mirë.

“Epo, do të jetë më mirë, dhe kjo është e vetmja gjë që pres, asgjë tjetër”, shpreh ajo.

Në pjesën veriore të Kosovës vazhdon situata të jetë stabile, por e brishtë. Megjithatë, njohësi i çështjeve të sigurisë, Arben Dashevci thekson se kthim prapa në aspektin e sigurisë në këtë pjesë të vendit nuk do të ketë.

Ai shton se rruga e vetme është respektimi i ligjeve të Kosovës që janë në fuqi.

“Nuk mund të kthehet situata prapë kurrë më në Republikën e Kosovës në atë aspektin e sigurisë së brendshme, do të respektohen ligjet në fuqi të Kosovës sepse rrugë tjetër nuk ka se faktet janë të patjetërsueshme në këtë aspekt. Kurse, në atë aspektin e sigurisë së jashtme që dallon fare shumë nga siguria e brendshme, ne e dimë fare mirë që nga kush na vinë problemet nga kush na vjen tani vetëm tentim tensionimi apo tentim destabilizimi, por vigjilenca nuk ka alternativë në aspektin e sigurisë së jashtme duke pas parasysh nga ajo çka na ka ndodhur më përpara. Duhet të jemi vigjilent. …Të gjithë ata që kanë qenë destruktiv ndaj Republikës së Kosovës vetëm që t’iu kundërvihet me ligj”, theksoi ai.

Deri në nëntor të vitit 2022,Lista Serbe ishte në pushtet në të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë. Ajo mori vendim për t’u larguar nga institucionet në veri, për shkak të një kërkese të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me ato të Kosovës.

E nga maji i vitit 2023 e deri më tani katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të vendit në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë, pasi serbët bojkotuan zgjedhjet. Bojkoti erdhi pas thirrjes së Listës Serbe.

Lista Serbe garon edhe në zgjedhjet lokale të 12 tetori. Fillimisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e certifikoi atë, por me një vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa, si dhe më pas edhe të Gjykatës Supreme, kjo duhet të certifikohet dhe të marrë pjesë në zgjedhje./kp