Arrestohen 3 të rinj për vjedhje në dy markete, sekuestrohen mallra me vlerë 1,700 euro

E publikuar: 05/09/2025 22:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia në Ferizaj ka arrestuar tre persona të dyshuar për vjedhje, të ndodhura në dy markete të ndryshme në qytet, në rrugët “Enver Topalli” dhe “Rexhep Bislimi”.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më datë 05.09.2025, rreth orës 11:00, janë pranuar informata për dy raste të ndara të vjedhjes. Njësitë reaguan me shpejtësi dhe identifikuan të dyshuarit, të cilët u shoqëruan në stacionin policor për intervistim.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit policorë, të cilët kanë sekuestruar produktet ushqimore të vjedhura, me vlerë të përgjithshme rreth 1,700 euro. Të dyshuarit e arrestuar janë: M. G., 21 vjeç, L. B., 22 vjeç dhe A., 23 vjeç”, thuhet në njoftim.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa produktet e vjedhura janë kthyer tek personat e dëmtuar me procesverbal.