Deputeti Hekuran Murati në seancën e sotme konstituive, nuk ka arritur të marrë 61 votat e nevojshme për t’u bërë kryetar i Kuvendit.
Përfaqësuesja e koalicionit Lëvizjes Vetëvendosje, Alternativa dhe Lëvizja Guxo, Donika Gërvalla, propozoi Hekuran Muratin, duke thënë se ai ka bërë një punë të shkëlqyeshme si ministër i Financave.
Megjithatë, ai nuk arriti të marrë votat e nevojshme, pasi ishin 57 deputetë që votuan pro, 51 kundër dhe 6 abstenuan.
Seanca e radhës do të mbahet me 24 gusht në orën 11:00.
Pas 3 javësh, të mërkurën deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Në seancën e 20 gushtit, ashtu siç e kërkoi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për bllokadën politike, votimi për kryekuvendarin u bë me votim të hapur, ku Lëvizja Vetëvendosje propozoi Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvallën për kryetare të Kuvendit, por asnjëra nuk mori 61 votat për t’u zgjedhur në këtë pozitë.
Pas këtyre dy dështimeve, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari e ndërpreu seancën e cila do të vazhdojë sot nga ora 11:00.
Gjykata Kushtetuese të hënën e publikoi aktvendimin për ngërçin politik, aktgjykim i cili përcakton një afat 30 ditor për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Sipas po këtij aktgjykimi një kandidat apo kandidate nuk mund të votohet më shumë se tri herë.
Kosova më 9 shkurt të këtij viti mbajti zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.



















