Pas publikimit të plotë të aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese, Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar, duke e cilësuar vendimin si një tejkalim të hapur të juridiksionit dhe si krijim të një rregulli të ri që cenon parimet demokratike dhe përfaqësimin politik.
“Pas 10 ditësh Gjykata pranoi që përmes Aktgjykimit të publikuar sot ka shkruar rregull të ri. Tejkalimi i juridiksionit nuk justifikohet me asgjë. Ditët vonesë për publikimin e vendimit njoftojnë pamundësinë për ta justifikuar vendimin arbitrar që cënon demokracinë. Kufijtë e ngushtë të arsyetimit sot janë rrjedhojë e gjerësisë së tejkalimeve që ia ka lejuar vetes Gjykata”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes në Facebook.
Më tej thuhet se “Se votimi i fshehtë nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, u konfirmua sërish. Zhurma opozitare u rrëzua përsëri. Por paragjykimi i Gjykatës për mungesën e konsensuesit politik sa kohë që nuk është hedhur asnjëherë në votim është ecje në rrugën e subjekteve bllokuese. Kjo rrugë na kthen pas aty ku nuk pati rezultat”.
Sipas Vetëvendosjes, analogjia që përdor Gjykata nuk ka ku të qendrojë.
Lexo po ashtuMillosh Pleskoviq dënohet me 15 vjet burgim për krime lufte në Kosovë“Kushtetuta ndryshe nga zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit, për zgjedhjen e Presidentit i përcakton qartë raundet e votimit edhe pasojat juridike të moszgjedhjes brenda një afati. Në arsyetimin e Gjykatës dallohet se nuk ka asgjë tjetër përpos frazave të përdorura nga PDK mbi analogjinë. Në bazë të “tezës” së analogjisë me zgjedhjet e institucioneve të tjera, duket se Gjykata po përgatit terrenin për dhënien e së drejtës së propozimit ndonjë partie tjetër pas 30 ditëve nëse dështon partia e parë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Këtë po e kërkojnë dhe thonë eksponentët opozitarë, madje edhe në komentet dërguar kushtetueses”, thuhet më tej në reagim.
VV vlerëson se si rrallë herë, Gjykata Kushtetuese nuk iu referua asnjë kushtetute evropiane dhe botërore, as nuk kërkoi mendime të gjykatave kushtetuese homologe për krahasueshmëri rastesh.
“Një rast pra si asnjë rast tjetër”, thuhet në reagim.
Deputetët e shpërfillën një aktgjykim të mëhershëm të Kushtetueses të 26 qershorit, e cila pati kërkuar konstituimin e legjislaturës së nëntë brenda 30 ditësh. Por, gjykata nuk pati treguar se cilat do të jenë pasojat e mos zbatimit të këtij aktgjykimi.
Kosova është futur në krizë politike pasi nuk ka arritur të formojë institucionet e reja që prej mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt.


















