Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ndaj shkyçjes së qindra bizneseve nga rrjeti i furnizimit me energji elektrike nga ana e KEDS-it, duke e cilësuar këtë veprim si një formë persekutimi ndaj sektorit privat.
Gjatë një konference për media, nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, deklaroi se ky veprim pasqyron dështimin e politikave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Ajo tha se shkyçja e dhunshme e kompanive nga rrjeti i furnizimit me energji elektrike është persekutim dhe politikë që shkon vetëm në favor të mafisë energjetike në vend, raporton KosovaPress.
Bajrami i bëri thirrje Prokurorisë Speciale që të merret sa më parë me institucione siç janë Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe të tjera që kjo politikë sipas saj të mos kalojë dhe assesi të mos mbetet e pa ndëshkuar.
“Sot shkyçja e dhunshme e kompanive nga rrjeti i furnizimit me energji elektrike është persekutim, është politikë që shkon vetëm në favor të mafisë energjetike në vend. Ne sot prej këtu i bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale që të merret sa më parë me institucione siç janë Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe të tjera që kjo politikë të mos kalojë dhe assesi të mos mbetet e pa ndëshkuar. Qytetarët e këtij vendi duhet ta dinë se po paguajnë për mafinë energjetike. Nga këto politika do të vije një valë e re e inflacionit”, tha Bajrami.
Bajrami deklaroi se pas më shumë se katër vitesh në pushtet, Kurti ka ushtruar ndikim në institucionet kyçe të sektorit të energjisë, përfshirë Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë (KOSTT).
“Ju kemi thirrur për të kundërshtuar dhe shprehur shqetësimin tonë në lidhje me shkyçjen e mbi 1300 bizneseve të cilat ende nuk kanë lidhur marrëveshje të dhunshme me kompanitë private që tregtojnë energji elektrike në Kosovë, sot përfundimisht po merr formë politika shkatërruese e Albin Kurtit, sot kur Albin Kurti ka mbi 4 vite e gjysmë pushtet në institucione ka kap secilin prej tyre. Ku tanimë ka instaluar të dëgjueshmit e tij në ZRRE, KOST dhe çdo institucion tjetër”, tha Bajrami.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami tha se qytetarët e Kosovës deri më tani kanë paguar qindra miliona euro kompanisë NOA, si tha ajo me vetëm dy punëtorë.
“Jemi dëshmitarë që me faturat tona të energjisë ne kemi paguar 800 euro për transportin e një MGW orë të energjisë elektrike. Jemi duke paguar edhe sot me baza ditore kompaninë e Vukanoviq, kemi paguar deri më tani qindra miliona euro kompanisë NOA me vetëm dy punëtorë, kompani kjo që ka arritur që vetëm dy vite pas regjistrimit në Kosovë të jetë në top 10 e kompanive për nga qarkullimi,” ka deklaruar ajo.
Anëtarja e kryesisë të LDK-së në Ferizaj, njëkohësisht eksperte e energjisë, Janina Ymeri tha se për të gjitha ato biznese që sot po u shkëputet energjia elektrike po shpenzohen çerek milionë euro në ditë për transport. Në këtë rast, sipas saj po fitojnë në baza ditore kompani nga Maqedonia e Mali i Zi.
Ymeri tha se janë kërkuar kontratat për shitblerje të energjisë elektrike porse nuk kanë marrë përgjigje.
“Më 15, 16 dhe 17 (gusht), jemi duke shkuar mbi 250 mijë euro në ditë për shpenzime të transportit të energjisë elektrike. Për të gjitha ato biznese që sot po u shkyçet energjia elektrike, le të dihet që për transport po harxhohen çerek milioni në ditë. Dhe këtu po fiton në baza ditore nga Maqedonia kompania FT, e cila sipas Albin Kurtit ka qenë pasardhëse e strukturave të mëhershme serbe, ndërsa nga ana e Malit të Zi po fiton kompania NOA në baza ditore,” ka thënë Ymeri.
Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se ka filluar shkyçjen e mbi 1.400 pikave matëse të konsumatorëve komercialë që nuk kanë lidhur marrëveshje me ndonjë furnizues të licencuar nga ZRRE-ja, siç parashihet me vendimin e datës 13 gusht të Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Kjo e fundit kishte njoftuar se shkyçjet do të nisin më 16 gusht. Kjo pasi shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale ka vendosur në favor të ZRRE-së.
Sipas njoftimit, mbi 600 njehsorë smart do të shkyçen nga distanca, ndërsa pjesa tjetër do të shkyçet fizikisht nga ekipet e KEDS-it në terren në të gjithë Kosovën.
















