Dhjetëra projekte infrastrukturore me vlera milionëshe i kanë dështuar shefit të Infrastrukturës në Kosovë, zëvendësministrit në detyrë Hysen Durmishit, në gjysmën e parë të këtij viti, përkundër buxhetit të ndarë nga Ministria e Financave.
Por, një fat të tillë nuk e ka pasur edhe rruga Mushtisht-Shtërpcë, e cila sipas raportimeve mediale kalon shumë afër të një prone trehektarëshe të babait të Hysen Durmishit, raporton portali FrontOnline.
Sipas buxhetit 6-mujor të këtij viti të përgatitur nga Ministria e Financave, të cilin e posedon portali FrontOnline, për ndërtimin e rrugës Mushtisht-Shtërpcë këtë vit kanë qenë në dispozicion 1.5 milionë euro, përderisa në gjysmën e parë të këtij viti janë shpenzuar mbi 1.1 milionë euro në këtë rrugë.
Kjo rrugë njëherit është nga projektet e pakta të Ministrisë së Infrastrukturës me shpenzim rekord të buxhetit në 6-mujor, raporton FrontOnline.

Për pak muaj mbi 1.1 milionë euro të paguara në rrugën Mushtisht-Brezovicë, zhvillohen punime intensive
Përndryshe, kontrata me kompaninë fituese për ndërtimin e rrugës Mushtisht-Brezovicë është nënshkruar më 24 dhjetor 2024, përderisa në periudhë rekorde janë zhvilluar punimet në këtë rrugë që kalon kah vendlindja e zëvendësministrit në detyrë të Infrastrukturës.
Portali “Paparaci” në vitin 2021 kishte raportuar se Ilaz Durmishi, babai i zëvendësministrit Hysen Durmishi, është pronar i një parcele prej 3 hektarësh tokë në afërsi të trasesë së rrugës Mushtishtë-Brezovicë.

Parcela ndodhet mes Mushitishtit të Suharekës dhe Brezovicës, në zonën e Dollcit.
Kjo sipërfaqe toke ishte blerë bashkërisht nga disa nga figurat më të njohura të Lëvizjes Vetëvendosje para dhjetë vitesh.
Por, për t’ju ikur komplikimeve toka e blerë ishte bartur në emër të një pronari të vetëm. Pronarët e vërtetë kishin zgjedhur prona të vendoset në emër të Ilaz Durmishit, babait të Hysen Durmishit, për shkak të prejardhjes së tij nga ajo zonë.

Hysen Durmishi ka mohuar t’i ketë dhënë prioritet punimeve në projektin rrugor Mushtisht-Brezovicë, i cili shkon përskaj pronës së babait të tij.
Në një deklarim pas raportimit të Paparacit në kohën e publikimit të shkrtimit, zëvendësministri i Infrastrukturës kishte thënë se projekti i rrugës që lidh Mushtishtin me Brezovicën “nuk lidhet fare me pronat” të cilat janë në emër të babait të tij.
Zëvëndësi i ministrit Liburn Aliu ka nënkuptuar se për parcelën prej tre hektarëve tokë që ndodhet në afërsi të aksit rrugor Mushtisht-Brezovicë dihet publikisht pronësia në emër të babait të tij.
“Ato livadhe janë blerë në vitin 2011, pra para 10 viteve dhe i kam të deklaruara në deklarimin e pasurisë, ashtu siç janë, pra pronë të babait tim”, vijon Durmishi.
Durmishi, e kishte cilësuar me “interes të veçantë” projektin.
Në tetor të vitit 2024, në një intervistë me Leart Hoxhën, autorin e emisionit Context në ATV, derisa komentoi të njëjtën çështje Durmishi tha se rruga është larg livadheve të familjes së tij për një kilometër e gjysmë apo dy kilometra.
“Jo, nuk kalon nëpër pronat e mia. Kjo është rrugë regjionale, nuk është rrugë lokale”, tha ai. “Kjo rrugë nuk është rrugë e fshatit tim, pra është rrugë regjionale që e lidh Brezovicën me Suharekën. Ne e kemi filluar procedurën e prokurimit, është larg atyre livadhe që i kanë përmendur më shumë se një kilometër e gjysmë, dy kilometra, rruga është larg atyre livadheve që janë të familjes time”.
“A që i bjen që rruga nuk kalon kah prona juaj, por afër pronës tuaj”, u pyet Durmishi nga intervistuesi Hoxha.
“Absolutisht jo, as afër nuk është..”, u përgjigj zëvendësministri, duke e konsideruar të largët distancën prej, siç tha ai, “një kilometër e gjysmë, dy kilometra”.
Projektet dhjetëra milionëshe që i dështuan në gjysmë vit Hysen Durmishit
Punimet në afat rekord siç janë kryer në rrugën Mushtisht-Shtërpcë nuk ka ndodhur edhe në shumë projekte të rëndësishme infrastrukturore gjatë periudhës janar-qershor 2025.
Portali “FrontOnline” ka arritur ta siguroj një listë të projekteve, të cilat përkundër që kanë buxhetin në dispozicion, nuk kanë filluar as të realizohen në gjysmën e parë të këtij viti.
Kjo është lista e projekteve milionëshe që i dështuan zëvendësministrit Durmishi:

– Ndërtimi i Urës në Veternik në Prishtinë, mbi Rrugën A, nga 2 milionë euro buxhet, zero shpenzime në gjashtë mujor.
-Rruga Nacionale Prishtinë-Gjilan-Konçul, buxheti i ndarë 20 milionë euro, përderisa për 6-muaj janë realizuar vetëm 928 mijë euro pagesa, apo 5% e buxhetit total.
-Projektet e bashkëfinancimit me Kuvendet Komunale, nga 3 milionë euro buxhet në dispozicion, asnjë cent i shpenzuar në periudhën janar-qershor 2025.
-Teleferiku Prizren nga 1 milion euro buxhet, asnjë cent i shpenzuar
-Ndërtimi i qarkores së Gjakovës, nga 1 milionë euro buxhet, asnjë cent i shpenzuar
-Sinjalizimi i autostradave R6-R7, 1 milionë euro buxhet, zero shpenzim, Etj./FrontOnline/


















