Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se ka filluar shkyçjen e mbi 1,400 pikave matëse të konsumatorëve komercialë që nuk kanë lidhur marrëveshje me ndonjë furnizues të licencuar nga ZRRE-ja, siç parashihet me vendimin e datës 13 gusht të Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Kjo e fundit kishte njoftuar se shkyçjet do të nisin më 16 gusht. Kjo pasi shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale ka vendosur në favor të ZRRE-së.
Sipas njoftimit, mbi 600 njehsorë smart do të shkyçen nga distanca, ndërsa pjesa tjetër do të shkyçet fizikisht nga ekipet e KEDS-it në terren në të gjithë Kosovën.
KEDS thekson se këta konsumatorë ishin njoftuar disa herë për domosdoshmërinë e lidhjes së marrëveshjes me një furnizues të licencuar, për shkak se ata i plotësonin kushtet për dalje në treg të hapur të energjisë elektrike.
Kompania u bën thirrje bizneseve që ende nuk kanë vepruar, të lidhin sa më parë marrëveshje me një furnizues të licencuar nga ZRRE për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit me energji elektrike.
Përndryshe, ky veprim po bëhet përkundër ankesave të shumta të bizneseve dhe paralajmërimit të përfaqësuesve të tyre se do të bëjnë ankesë në Gjykatën Supreme, pasi shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale ka vendosur në favor të ZRRE-së.















