Investimet e huaja në Kosovë: 648 milionë euro në patundshmëri, vetëm 32 milionë në prodhim

E publikuar: 18/08/2025 09:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Investimet e huaja direkte në Kosovë gjatë pesëmujorit të parë të vitit 2025 tregojnë një tendencë të qartë të fokusimit në sektorin e patundshmërive, duke nxjerrë në pah një problem themelor në orjentimin e kapitalit investues në vend.

Sipas statistikave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), në periudhën janar-prill 2025, vlera totale e investimeve të huaja nëpër muaj janar 78.6 milionë euro, shkurt 61.2 milionë euro, mars 57.8 milionë euro dhe prill 79.2 milionë euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, shifrat tregojnë disa ndryshime janar 81.1 milionë euro, shkurt 80.3 milionë euro, mars 53.8 milionë euro dhe prill 60.5 milionë euro. Totali i investimeve të huaja në vitin 2024 ka arritur në 847.4 milionë euro, raporton Infosot.

Kur i ndajnë këto investime sipas sektorëve, del në pah një pabarazi e theksuar. Investimet në aktivitetet e patundshmërive kapin vlerën e 648.6 milionë eurove, që përbën pjesën më të madhe të totalit. Në kontrast, sektorët e tjerë si aktivitetet financiare dhe të sigurimit marrin 143.4 milionë euro, ndërsa sektori i prodhimit është duke përfituar vetëm 32 milionë euro nga investimet e huaja.

Ky raport i investimeve tregon qartë se investitorët e huaj, përfshirë edhe ata nga pesë vendet kryesore investuese Gjermania, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar, SHBA dhe Shqipëria, po e orientojnë kapitalin kryesisht në sektorët ku fitimi është më i shpejtë dhe me risk më të ulët, si patundshmëritë, duke lënë mënjanë sektorë strategjikë si prodhimi, i cili është thelbësor për zhvillimin ekonomik afatgjatë dhe krijimin e vendeve të punës.

Në vitin 2025, Zvicra dhe Gjermania janë investitorët më të mëdhenj, me 64.2 milionë dhe 58.2 milionë euro respektivisht, ndërsa Shqipëria ka investuar 21.4 milionë euro.

Analiza e këtyre shifrave nënvizon se Kosova nuk po arrin të kanalizojë fuqinë investuese në sektorët që mund të ndikojnë pozitivisht në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Investimet e mëdha në patundshmëri, edhe pse të rëndësishme për sektorin financiar, nuk mjaftojnë për të ndërtuar bazën e nevojshme industriale apo për të zgjeruar sektorin prodhues, që janë faktorë kyç për ekonominë vendore.

Kjo tendencë nënkupton se pjesa më e madhe e investimeve, përfshirë edhe ato të diasporës kosovare, po kanalizohen në tregun e pasurive të paluajtshme, duke lënë pas dore sektorë të rëndësishëm me vlerë të shtuar të lartë dhe potencial zhvillimi për të ardhmen.

Për këtë arsye, të dhënat tregojnë një mungesë orientimi strategjik në sektorët ku Kosova ka nevojë më urgjente për investime, duke u bërë kështu e nevojshme që politika ekonomike të përshtatet për të tërhequr dhe stimuluar investime në sektorët prodhues dhe inovativë, që mund të ofrojnë një ndikim më afatgjatë dhe më të qëndrueshëm në zhvillimin ekonomik të vendit./Infosot/