Kompania “Solution D” Sh.P.K. ka parashtruar ankesë pranë Organit Shqyrtues te Prokurimit ndaj Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), duke pretenduar se tenderi me vlerë prej 10 milionë euro për furnizimin, montimin dhe instalimin e tabelave të mençura për institucionet parauniversitare është i përgatitur në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik dhe favorizon një operator të caktuar, raporton Infosot.
Në ankesën e dorëzuar, kompania pretendon se autoriteti kontraktues ka futur kritere diskriminuese dhe të panevojshme që kufizojnë konkurrencën dhe pamundësojnë ofertimin e kompanive të tjera, përfshirë edhe atyre me përvojë shumëvjeçare në fushën e teknologjisë. Sipas kompanisë, kërkesat për certifikata ISO 27001:2022 dhe certifikata CE dhe ROHS për eksport në Europë janë të palogjikshme për një operator ekonomik që nuk është prodhues i pajisjeve, dhe për më tepër, këto kërkesa duhet të vlejnë vetëm për prodhuesit.
Gjithashtu, “Solution D” kundërshton edhe kërkesat për qarkullim vjetor shumë të lartë (5 milionë euro për secilin lot), që sipas tyre është në kundërshtim me udhëzimet për hapjen e konkurrencës dhe zhvillimin e operatorëve të rinj. Kërkesa për referenca të kontratave të përfunduara me vlerë 4 milionë euro për secilin lot për tri vitet e fundit, sipas ankesës, është diskriminuese dhe praktikon favorizimin e një kompanie të vetme.

Ankesa ngre shqetësime edhe për kërkesat e panevojshme sa i përket stafit të angazhuar: dy ekspertë të pajisjeve TI, 20 teknikë të certifikuar për SMART BOARD, një analist projekti dhe kërkesa të tjera të cilat sipas kompanisë janë të tepruara dhe nuk korrespondojnë me natyrën e projektit. Ata vlerësojnë se këto kritere janë vendosur me qëllim që të kufizohet konkurrenca dhe të përshtaten vetëm për një ofertues të paracaktuar.
“Solution D” thekson gjithashtu se ka kontradikta dhe paqartësi në specifikat teknike, si për shembull kërkesat për teknologjinë “InGlass Touch” e cila ofrohet vetëm nga një prodhues i caktuar, çka sipas tyre shkel parimin e barazisë në tenderim. Njëjtë edhe me specifikimet për fuqinë e altoparlantëve dhe peshën e pajisjeve, që sipas tyre janë të përgatitura për t’i përshtatur një oferte të vetme.
Në përfundim, kompania kërkon nga OSHP-ja që të urdhërojë ndryshimin e dosjes së tenderit dhe përfshirjen e kushteve që mundësojnë konkurrencë të drejtë dhe të barabartë, në përputhje me Ligjin për Prokurim Publik dhe udhëzimet përkatëse./Infosot/



















