Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Prizren si dhe ka sekuestruar drogë në vlerë prej 300 mijë eurosh. Personi i arrestuar, sipas Policisë, dyshohet për përfshirje në veprimtari kriminale të lidhur me substanca narkotike.
Bëhet fjalë për një person me inicialet H.K – shtetas i Kosovës i cili është arrestuar më 11 gusht, në rrugën “Viljam Voker” në Prizren.
“Gjatë kontrollit të realizuar në dy lokacione me urdhër të prokurorit kompetent, në njërën nga lokacionet janë gjetur dhe sekuestruar si prova materiale: Substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me peshë totale 4 kg e 440 gram; Dy peshore elektronike; Paranë vlerë prej 260 euro; Një pajisje për vakumim të qeseve plastike; Një motoçikletë PIAGGIO VESPA; Një telefon mobil iPhone 15 Pro Max; Një skalper; Sasi e konsiderueshme e qeseve plastike për paketim”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas vlerësimeve, sasia e sekuestruar e substancës narkotike, në tregun ilegal, mund të kapë vlerën deri në treqind mijë euro.
“I dyshuari është shoqëruar në Polici, ku është intervistuar në prani të avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit, i njëjti është ndaluar për 48 orë. Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar nga ana e Njësisë së antidrogës në Prizren në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren”, bëri të ditur Policia.

















