Policia e Kosovës ka vënë në kërkim Mefail Shkodra, pas incidentit të rëndë sot në Gjilan ku kanë mbetur të vdekur tre persona dhe një tjetër i plagosur, raporton KosovaPress.
Mefail Shkodra, me vendbanim në Gjilan, sipas policisë kërkohet për vepër penale vrasje e rëndë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan, me qëllim të lokalizimit dhe arrestimit të të dyshuarit, ka lëshuar kërkesë për bashkëpunim me qytetarët dhe mediat.
Policia kërkon nga qytetarët dhe mediat që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit në foto, të lajmërojë në stacionin më të afërt policor apo përmes aplikacionit Lajmëro Policinë, e-mail: [email protected], si dhe në numrat kujdestarë 192; 038 508 07001.Të dhënat do të ruhen në konfidencialitet të plotë.
Tre persona kanë humbur jetën dhe një tjetër është plagosur si pasojë e një incidenti ku janë përdorur armë zjarri sot rreth orës 12:32 në rrugën “Ibrahim Rugova”.
I dyshuari për rastin është një shtetas i Kosovës, i njohur për policinë, i cili për momentin është në arrati.
Policia e Kosovës Njësitet e hetimeve rajonale në bashkëpunim me prokurorin e shtetit po i hetojnë rrethanat e këtij rasti të rëndë.


















