Sot ka ndërruar jetë në qytetin e Gjilanit intelektuali dhe ish-politikani i njohur i viteve ‘80, Ramadan Myrtaj, i cili për shumëkënd njihej si “Dani”.
Ramadan Myrtaj do të kujtohet si një ndër figurat më të përkushtuara në debatet intelektuale dhe zhvillimet politike të kohës. I dalluar për mendimin e thellë, urtësinë dhe gjykimin e matur, Myrtaj ishte një zë që peshonte në rrethin shoqëror dhe më gjerë, duke ruajtur gjithmonë një qëndrim të ekuilibruar dhe të pjekur për ngjarjet që preknin Kosovën dhe shoqërinë shqiptare në përgjithësi.
Ai ishte i njohur për analizën e kthjellët të situatave politike, shpeshherë duke paraprirë zhvillimet me një vizion largpamës. Miqtë dhe bashkëkohësit e kujtojnë si një njeri me karakter të formuar dhe integritet të palëkundur, që kurrë nuk e ndërroi drejtimin për interesa personale apo kalkulime afatshkurtra.
Përkundër kontributit të tij në politikë në periudhën e viteve `80, Dani shpesh ndjehej jashtë kohe – pjesë e një bote politike që nuk përfaqësonte bindjet dhe botëkuptimin e tij të vërtetë. Kjo ndarje shpirtërore dhe ideologjike nga realiteti politik nuk e ndali kurrë në angazhimin për të folur me zë të qartë për drejtësinë, barazinë dhe të mirën publike.
Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e kanë bërë të ditur familjarët, të cilët kanë njoftuar se varrimi i Ramadan Myrtajt do të bëhet sot në Gjilan, në orën 13:00, në varrezat e qytetit.
Me ndarjen e Ramadan Myrtajt nga jeta, Gjilani humb një nga figurat e rralla që dinte të fliste pak, por të thoshte shumë. Kujtimi për të do të mbetet i gjallë në zemrat e atyre që e njohën dhe e vlerësuan për mendjen e kthjellët dhe shpirtin e pastër.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Myrtaj, miqve dhe gjithë atyre që ndanë rrugën e jetës me të.
















