KQZ fton diasporën në takime për t’u informuar mbi procesin e zgjedhjeve lokale

E publikuar: 08/08/2025 18:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Duke filluar nga data 11 gusht deri më 29 gusht, gjatë ditëve të punës e hënë – e premte, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mirëpresë në takime qytetarët nga diaspora që në këtë periudhë ndodhen në Kosovë.

Gjatë këtyre ditëve, nga ora 11:00 – 14:00, shtetasit e Kosovës që jetojnë në diasporë, mund të vizitojnë selinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe zyrat e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve për t’u informuar mbi procesin e zgjedhjeve lokale, me theks të veçantë për regjistrimin dhe votimin jashtë vendit, thuhet në njoftim, raporton KosovaPress.

KQZ njofton se është duke vazhduar periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor. Kjo periudhë, e cila ka filluar më 23 korrik, do të përfundojë më 29 gusht 2025.

Deri në përfundim të afatit, të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.

Aplikimi për regjistrim duhet të jetë individual dhe mund të bëhet: 1. përmes platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org ose 2. përmes postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

Për dallim nga zgjedhjet qendrore, në zgjedhjet lokale votimi jashtë vendit realizohet vetëm përmes postës, pasi në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme përcaktohet se votimi në përfaqësi diplomatike nuk aplikohet në këtë lloj zgjedhjesh.

Periudha e votimit përmes postës do të fillojë më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor 2025. Kjo periudhë do të vlejë vetëm për shtetasit që do të arrijnë të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit 23 korrik – 29 gusht 2025.

Selia qendrore e KQZ-së ndodhet në rrugën “Migjeni”, nr. 21, ndërkaq, adresat e 38 Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve mund t’i gjeni këtu: https://kqz-ks.org/adresat-e-zyrtareve-komunal/