Murati për vendimin e Kushtetueses: Ky është arbitraritet klientelist

E publikuar: 08/08/2025 13:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e fundit për mënyrat procedurale për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Sipas aktgjykimit të publikuar nga Gjykata Kushtetuese, deputetët duhet t’i rikthehen votimit të hapur për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Poashtu Kushtetuesja, ka limituar votimin për një kandidat për kryeparlamentar në vetëm tre herë.

Pas publikimit të aktgjykimit, ka reaguar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati.

Murati e cilësoi si klientelist vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Kjo nuk është drejtësi. Ky është arbitraritet klientelist, që synim ka t’ua sigurojë gardës së vjetër në tavolinë, atë çfarë nuk ua dha populli me votë”, tha Murati.

Tutje, Murati kujtoi vendimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 e cila sipas tij ishte bërë ‘vegël’ Partisë Demokratike të Kosovës.

“Në vitin 2014, për ta mbajtur PDK-në me çdo kusht në pushtet, Gjykata Kushtetuese ishte bërë vegël e PDK-së dhe kishte vendosur që: 1. Qeveria nuk mund të formohej pa fituesin e zgjedhjeve, pra PDK-në. Nëse nuk ishte PDK-ja në Qeveri, vendi duhej të shkonte në zgjedhje. 2. Pozita e Kryetarit të Kuvendit i takonte fituesit të zgjedhjeve, pra PDK-së, dhe deputetët s’kishin rrugë tjetër pos ta realizonin këtë, qoftë me votim të hapur, të fshehur, apo çfarëdo forme tjetër”, tha tutje Murati.