Gazetarët e RTK-së protestojnë për mungesën e pagave, nuk përjashtojnë grevën në të ardhmen

E publikuar: 06/08/2025 11:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për shkak të mos ekzekutimit të pagave për muajin korrik, disa punëtorë të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) protestuan sot para Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar të drejtat e tyre ligjore për alokim të mjeteve.

Ndonëse 5 gushti ishte dita e fundit kur atyre do të duhej t’iu alokoheshin mjetet për muajin korrik, rreth 700 punonjës të RTK-së kanë mbetur pa paga.

“RTK nuk hesht”, “Gazetar pa pagë=Demokraci pa zë”, “Mos na e fikni zërin publik”, “Buxheti nuk është privilegj, është e drejtë ligjore”, “Mos e shkatërroni mediumin publik”, “RTK është e popullit, jo e politikës”, “Punëtorët e RTK-së, jo viktima të krizës”, janë disa nga mbishkrimet në pankartat që punëtorët e mediumit publik mbanin në duar gjatë protestës.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), Gëzim Bimbashi tha se kjo krizë është rezultat i mosmiratimit të Ligjit të ri për RTK-në dhe mungesës së një financimi të pavarur dhe të qëndrueshëm.

Ai tha se kërkesat e punëtorëve të RTK-së janë alokimi i menjëhershëm i buxhetit, kompletimi i bordit të RTK-së nga Kuvendi i ri, shpallja e konkursit për drejtor të përgjithshëm, me respektim të plotë të procedurave ligjore, si dhe rritja e buxhetit për vitin 2026, përfshirë rritjen e pagave.

Bimbashi potencoi se mbi 700 familje janë pa paga, në kushte të rënda ekonomike, nën barrën e kredive dhe me kosto të jetesës në rritje.

Po ashtu, Bimbashi tha se nuk përjashtohen greva, protesta para objektit të RTK-së dhe bojkoti i ngjarjeve politike.

Ndërkaq, kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha tha se ofrojnë mbështetje të plotë dhe të fuqishme për punëtorët e RTK-së.

Ai potencoi se thirrja e AGK-së është që punonjësit e RTK-së të vazhdojnë punën e tyre pa presion financiar e politik.

Sipas tij, situata aktuale ka qenë e shmangshme për cka ftoi institucionet që të ndërmarrin hapat e nevojshëm.