Këngëtarja Dua Lipa ka mbyllur me sukses edicionin e këtij viti të Sunny Hill Festival, duke lënë pas netë të paharrueshme muzike, arti dhe bashkimi kulturash në zemër të Prishtinës.
Në një postim në rrjetet sociale, këngëtarja me famë botërore u shpreh e mbushur me mirënjohje dhe dashuri për familjen e saj dhe ekipin që punoi pa u lodhur për ta sjellë festivalin në jetë.
“Çfarë mënyre magjike për të mbyllur edicionin e këtij viti. Jam shumë mirënjohëse dhe falënderuese për familjen time të jashtëzakonshme dhe ekipet që bënë gjithë atë punë për t’i bërë realitet këto netë të paharrueshme,” shkroi ajo.
Dua nuk la pa falënderuar edhe artistët pjesëmarrës, ekipet e tyre dhe fansat, të cilët e kthyen këtë edicion në një festë të vërtetë emocioni dhe energjie pozitive.
“Vallëzove, këndove, festove me ne – dhe festivalin e këtij viti e bëre vërtet të paharrueshëm. Të duam pa fund. Deri vitin tjetër” përfundoi ajo.
Sunny Hill Festival, i themeluar nga vetë Dua Lipa dhe familja e saj, është tashmë një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në rajon, duke sjellë në Prishtinë emra të njohur ndërkombëtarë dhe duke promovuar një Kosovë moderne, kreative dhe të hapur ndaj botës.

















