A e pezulloi Gjykata Komerciale vendimin e ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë?

E publikuar: 31/07/2025 10:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Komerciale e Kosovës, raportohet se ka pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që parasheh daljen e bizneseve në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike.

Masa e pezullimit do të vlejë derisa Gjykata të marrë një vendim përfundimtar për këtë çështje.

Megjithatë, ende nuk ka një përgjigje zyrtare për KosovaPress nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) lidhur me këtë vendim, nëse do ta anulojë në tërësi njoftimin e datës 12 mars 2025, përmes të cilës janë njoftuar kompanitë për kalimin e detyrueshëm në tregun e hapur të energjisë elektrike.

Po ashtu KosovaPress ka kërkuar sqarime për këtë vendim edhe nga ana e Gjykatës Komerciale, e cila deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.

Lajmi në përditësim…

Avokatja Blinera Osmani ka shkruar në Facebook se më 29 korrik 2025, Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhomat e Shkallës së Parë, përmes Aktgjykimit KA.nr.301/25, ka marrë një vendim të qartë dhe detyrues, duke: Anuluar pikën IV të Vendimit të ZRrE-së nr.275/24, datë 05.04.2024; Anuluar tërësisht Njoftimin e ZRrE-së të datës 12.03.2025 për daljen në treg të lirë, si të kundërligjshëm, Pezulluar në tërësi zbatimin e të gjitha këtyre vendimeve deri në një vendim përfundimtar të gjykatës; Kjo do të thotë se për të gjithë konsumatorët vendimi për daljen në treg të lirë nuk mund të zbatohet më; Si dhe ata duhet të rikthehen menjëherë në tregun universal, me furnizim të sigurt dhe me tarifa të rregulluara, ashtu siç ishin para datës 1 qershor 2025.

Dje pasdite sipas burimeve të brendshme të KosovaPress brenda Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ky vendim i Gjykatës Komerciale të publikuar nga avokatja Blinera Osmani, nuk e shfuqizon vendimin e tërë të Rregullatorit për daljen e bizneseve në treg të hapur. Sipas burimeve tona në ZRRE, ky vendim është për një rast individual (biznes), që nuk është i përgjithshëm.

Pas vendimit të Gjykatës Komerciale, Oda Ekonomike e Kosovës i ka bërë thirrje ZRRE-së për anulimin e njoftimit për kalimin në tregun e lirë të energjisë.

Po ashtu edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka reaguar pas vendimit të sotëm të Departamentit për Çështje Administrative, të Gjykatës Komerciale, për pezullimin e njoftimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për liberalizimin e tregut të energjisë, si dhe caktimin e masës së sigurisë, në pritje të aktgjykimit përfundimtar, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit thirrjen e saj që ZRREs të shfuqizojë menjëherë vendimin e saj të kontestuar për liberalizimin e tregut të energjisë.

Ndërsa, dje bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës kanë paralajmëruar veprime të ashpra nëse ZRRE nuk tërhiqet nga vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë.

Në anën tjetër, rreth 1 mijë e 300 biznese me mbi 50 punëtorë apo me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro janë paralajmëruar nga ZRRE, KEK dhe KEDS se do të shkyçen nga rrjeti nga sot nëse nuk kanë siguruar kontrata me furnizues në treg të hapur të energjisë.

Ndërsa, sipas komunitetit të biznesit nga ky vendim i ZRRE-së rrezikohen mijëra vende të punës, ulje e prodhimit dhe rritje e importit.