Pas njoftimeve për konfirmim të shpërthimit të sëmundjes Gjuha e Kaltër dhe Murtaja afrikane e derrit në Serbi, Kosova ka vendosur masë ndalese të përkohshme për importin e kafshëve të gjalla nga ky shtet, njoftoi të mërkurën, më 30 korrik, Agjencia e Ushtrimit dhe Veterinarisë. Bëhet fjalë për kafshët e llojit gjedhe, dele, dhi dhe derra apo produkte të derrit dhe autoritetet kosovare e kanë vendosur ndalimin me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes në vend.
“Autoritetet Kufitare që funksionojnë në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit, Policia e Kosovës, Doganat dhe AUV, duhet të ngrisin masat e nivelit të kontrollit në të gjitha pikat kufitare. Kjo për të mos lejuar hyrjen në vend të kafshëve të gjalla gjedhe, dele, derra dhe produkteve të derrit nga ky shtet”, thuhet në njoftim.
AUV tha se vigjilencë e shtuar e kontrollit do të ushtrohet edhe në bagazhet personale të pasagjerëve, për të ndaluar hyrjen e çfarëdo lloji të produktit të derrit, që hynë në kategorinë e produkteve bartëse të sëmundjes se Murtajës Afrikane të Derrit.
“Derisa vendimi është në fuqi qytetaret e kanë të ndaluar kalimin kufitar me çfarëdolloj produkti te derrit qe ka origjinë nga Serbia, çoftë edhe si ushqime gjatë udhëtimit. Të gjithë janë të obliguar të ndihmojnë dhe veprojnë për parandalim të përhapjes se sëmundjeve”, tha AUV.
Gjuha e Kaltër është sëmundje virale e cila transmetohet përmes pickimit të insekteve të llojit Colicoides (mushkonjave). Nga kjo sëmundje preken gjedhet, delet dhe dhitë. Prej këtyre me e ndjeshme është delja pastaj dhitë dhe gjedhi.
Shenjat klinike dhe ngordhjet shfaqen vetëm tek delja. Gjedhi shërben si rezervar i sëmundjes.
Mortaja Afrikane e Derrit është një sëmundje infektive virale që prek derrat e egër dhe ata shtëpiakë. Kjo sëmundje shkaktohet nga virusi i sëmundjes së derrit (ASFV) dhe është e njohur për rezistencën dhe ngordhshmërinë e lartë tek derrat.
Këto sëmundje nuk transmetohet tek njerëzit.


















