Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka folur për media para tentimit të 52-të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Haradinaj komentoi masën e përkohshme të Gjykatës Kushtetuese që hynë në fuqi menjëherë pas skadimit të afatit 30-ditor për konstituim të Kuvendit duke thënë që kjo kohë mund të prodhojë vendim të ri sqarues nga Gjykata Kushtetuese.
“Është me rëndësi se koha është e shkurtër, masa e përkohshme është për dy javë, na jep shpresa që pas dy jave do ketë vendim të ri të Gjykatës, me një masë finale. Sikur e dimë që edhe nesër kemi afat, është e mundur që Gjykata e ka paraparë që kaq kohë i duhet për një vendim të ri”, tha ai.
Tutje, Haradinaj tha se partia e tij ka dhënë ndihmë për LVV-në për të kaluar situatën e krijuar duke i dhënë emrat për të cilët AAK mund të votonte pro për kryeparlamentar.
“Ne kemi ardhë çdoherë me shpresë që do kemi një lëvizje nga ata që po e mbajnë peng situatën, i kemi jep edhe ndihmë pa asnjë kalkulim politik për një kandidatë përbashkues me kthy votimin e hapur, sikur e shihni është një situatë e rëndë me Deharin ai po e menaxhon shumë keq situatën, me nervozë nuk e di nga i buron ajo nervoz, në parlament ka tolerancë edhe nëse dilet me propozu ka tolerancë me thënë edhe një fjalë një gjysmë fjale gjithë ka pasë, nuk është ashtu strikt, jemi të shqetësuar për këtë gjendje”, shtoi Haradinaj.
I pari i AAK-së, thotë se zgjedhjet janë zgjidhja e fundit teksa shtoi se vendi duhet të shterroi të gjitha mundësitë për konstituimin e institucioneve të reja.
Sipas tij, zgjedhjet e reja mund të krijojnë një tjetër situatë ngërçi në vend.
“Ne nuk e mendojmë se duhet të favorizohen zgjedhjet pa i shterruar mundësitë për të formuar institucionet, pra nuk do ishte në rregull të nxitojmë për zgjedhje, sepse zgjedhjet mund të prodhojnë rezultat, por mund të na sjellin një tjetër situatë të ngjashme. Zgjedhjet janë zgjidhja e fundit, kuptohet se jemi të gatshëm, por nuk nxitojmë dhe nuk kërkojmë zgjedhjet për shkak se ne na ka jep qytetari besimin na ka jep mandatin, duhet ta zbatojmë përgjegjësinë tonë. E nëse vërtetë për shkak të atij që e ka në dorë këtë rast, mos harroni jemi peng të Kurtit, një Kosovë e një parlament jemi peng të Kurtit, nëse ai me të vërtetë e ka ndarë mendjen me bë keq e ma keq ai do të vazhdojë kështu me degradu vendin. Zgjedhjet e tjera nuk janë ngritje të demokracisë, janë dëshpërim i demokracisë nuk është në rregull”, tha ai.

















