Kandidati për kryetar të Prishtinës nga PDK-ja, Uran Ismaili ka premtuar se zëri i ankesave të qytetarëve do të dëgjohet gjatë qeverisjes së tij nëse fiton besimin për katër vjetët e ardhshëm në zgjedhjet komunale të 12 tetorit.
Gjatë shpalosjes së programit të tij në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë, ai ka premtuar hapjen e sheshit “George Bush” me një shesh modern, nënkalim për vetura e hapësirë për këmbësorët dhe një zgjidhje për të zhbllokuar Prishtinën nga kaosi i kolonave të stërgjata.
Ismaili tha se zhbllokimi i trafikut do të ndodhë për 18 muaj, duke siguruar 100 autobusë të rinj, 60 semaforë të rinj dhe do të ndërtojnë parkingje në çdo hyrje të qytetit që të ulet fluksi i madh i veturave që hyjnë në kryeqytet, raporton KosovaPress.
“25 vjet pas qeverisjes lokale e sidomos këto vitet e fundit kanë treguar që qytetari as nuk është dëgjuar e as nuk është pyetur, planet kanë ardhur vetëm prej zyrave e jo prej lagjeve tona. Unë e kam pa dhe e shoh qeverisjen time pikërisht me atë lloj afërsie, me thirr qytetari lirë… Hapja e sheshit George Bush do të jetë vendimi në javën e parë të qeverisjes sime…Punimet do të fillojnë me shesh modern, nënkalim për vetura dhe hapësirë për këmbësorët për mbarë jo mbrapsht me plan jo me improvizim.. Zhbllokimi i trafikut për 18 muaj, arsyet që ne mbesim me orë të tëra në trafik nuk kanë të bëjë vetëm me ngarkesën e tij por edhe me keq menaxhimin e tij. Do t’i sigurojmë 100 autobusë të rinj, po ashtu do vendosim 60 semaforë të rijnë për të menaxhuar më mirë trafikun, do të ndërtojmë edhe parkingje në çdo hyrje qytetit që ta ulim fluksin e madh të veturave”, tha Ismaili.
Për problemin e mbeturinave në kryeqytet, kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili tha se do të blejnë 60 kamion të rinj, dy mijë e 100 kontejnerë.
Ndërsa për ndërtimet, Ismaili theksoi se gjashtë muajt e parë nuk do të japin leje për ndërtim, por do të vendosin rregulla strikte që ndërtimet të bëhen sipas planeve rregulluese, ku secila lagje do ketë nga një park 300 metra nga çdo banesë.
“Do të ndriçojmë një mijë rrugë të reja në qytet, do regjistrojmë, vaksinojmë dhe largojmë çdo qen endacak nga rrugët. Do të vendosim nga një oficer të sigurisë në çdo shkollë të qytetit për të rritur sigurinë e fëmijëve dhe nxënësve tanë. Do blemë 60 kamionë të rinj që ato të mblidhen rregullisht dhe çdo ditë, do të blejmë 2 mijë e 100 kontejnerë të rinj në shërbim te qytetarëve dhe bizneseve në çdo lagje. Në gjashtë muajt e parë nuk do të japim asnjë leje të re, gjatë kësaj periudhe do të vendosim rregulla strikte që ndërtimet të bëhen sipas planeve rregulluese, do fillojmë fasadat e qindra ndërtesave banesore duke i futur në renovim të menjëhershëm. Secila lagje do të ketë një park 300 metra nga çdo banesë”, tha Ismaili.
Fjalim mbajti edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi i cili tha se Ismaili nuk merr përsipër asnjë punë që nuk e beson që mund ta zgjidh.
“Urani nuk e merr asnjëherë përsipër asnjë punë që nuk e beson që është për të apo që nuk e bën me zemër. Është deputeti më i votuar i PDK-së në tri palë zgjedhjet e fundit. Kryetari i degës sonë në Prishtinë që ka rritur jo vetëm në numra, por në frymë dhe vizion përtej përkatësive partiake dhe Prishtina ka provuar çdo lloj kryetari të gjitha partive përveç sonës… Prishtina ime, dua një kërkesë për të bërë një pak bashkë, ju kërkoj që t’ia jepni një shans Uranit dhe ju premtoj se do të jetë vendimi më i mirë për të ardhmen tonë dhe kryeqytetin e Kosovës”, tha Krasniqi.
Në garën për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e 12 tetorit janë edhe kryetari aktual Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Hajrulla Çeku nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Besa Shahini nga Partia Socialdemokrate (PSD).


















