Një person ka vdekur sot pasdite në Skenderaj, këtë rast Policia e Kosovës e ka cilësuar “vdekje e dyshimtë”.
Sipas policisë, sot rreth orës 16:00, policia në Skenderaj është njoftuar se një person kishte probleme shëndetësore dhe gjendej i shtrirë në vendin e punës në rrugën ,,17 Shkurti” në Skenderaj.
Policia tha se është njoftuar emergjenca mjekësore dhe në vendin e ngjarjes kishte shkuar një ekip mjekësore dhe njësitë policore.
“Mjeku kujdestar ka konfirmuar vdekjen e personit në vendin e ngjarjes. Personi pa shenja jete është i moshës 44 vjeçare”, njofton Policia.
Më tej thuhet se në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e Njësisë Rajonale të Hetimeve dhe të krim teknikës e po ashtu edhe inspektorët e punës të cilët kanë kryer veprimet hetimore dhe procedurat e nevojshme ligjore.
“Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pa jetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ndërsa iniciohet rasti ,,Vdekje e dyshimtë” dhe hetimet do të vazhdojnë për ndriçimin e plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim.
Për këtë ngjarje tragjike ka reaguar edhe kryetari i Skenderajt, Fadil Nura.
“Për shkak të vdekjes së papritur të bashkëqytetarit tonë, të riut Robert Veliu, ish-basketbollist profesionist, dhe në respek të thellë ndaj familjes së pikëlluar Veliu, programi i sotëm muzikor në festival anulohet”, ka shkruar Nura.
Ai më tej ka thënë se duke besuar në mirëkuptim e secilit përballë këtij rasti të dhimbshëm, i shprehi ngushëllimet më të thella familjes Veliu, shokëve dhe dashamirëve”.
Ndryshe, dy persona vdiqën në vendin e tyre të punës dje në Gjakovë. Ata ranë nga kati i tretë i një objekti i cili ishte në ndërtim.
nstitucioni i Avokatit të Popullit, ka reaguar për humbjen e jetës së dy punëtorëve në vendin e tyre të punës në Gjakovë si pasojë e aksidenteve të ndodhura ditët e fundit.
“Këto ngjarje tragjike janë tregues i qartë i gjendjes alarmante që mbizotëron në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë dhe pasojë e mungesës së zbatimit efektiv të standardeve ligjore të përcaktuara për mbrojtjen e jetës dhe dinjitetit të. Këto raste janë tregues se gjendja me respektimin e të drejtave të të punësuarve, në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, vazhdon të jetë e brishtë”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.

















