
Kryeministri i vendit, Albin Kurti / Foto: ZKM
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se i ka bërë ofertë konkrete për bashkëqeverisje liderit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Ai tha se uron që marrëveshja të bëhet këtë javë, mirëpo nuk tregoi detaje se për çfarë oferte bëhet fjalë.
“Kemi shprehur jo vetëm interesimin por edhe gatishmërinë për të bashkëqeverisur. Kam bërë një ofertë konkrete për Nismën në mënyrë që të përmbyllet sa më mirë”, tha Kurti në konferencë për media të hënën.
Kujtojmë që sot dështoi edhe tentimi i 50-të i konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese u ka lënë hapësirë 30 ditë deputetëve për konstituimin e Kuvendit, teksa ky afat përfundon në fund të muajit ende nuk dihet se cili do të jetë skenari tjetër në rast dështimi.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nëse nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës deri më 26 korrik, afat i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, duhet të ketë pasoja juridike për deputetët.
Ajo theksoi se janë duke përgatitur lëndën për interpretim kushtetues për krizën politike, dhe nëse nuk ka formim të institucioneve as gjatë këtij vikendi, atëherë në fillim të javës së ardhshme do ta dërgojnë çështjen në organin më të lartë juridik të vendit.
















