Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, para fillimit të vazhdimit të seancës së 49-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se nuk do ta votojë kryetarin e NISMA-s, Fatmir Limaj për kryeparlamentar, pasi që sipas tij i njëjti ka folur shumë rëndë për kryeministrin në detyrë Albin Kurti gjatë fushatave.
Ndërsa, rreth takimit të mundshëm që do të mbahet sot mes Kurtit dhe Limajt, Hasan tha se ky takim tregon presionin që ka brenda vetës kryeministri në detyrë me afrimin e datës 26 korrik, afatit që ka caktuar Gjykata Kushtetuese për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës.
Sipas tij presioni mund të shtohet për partitë e tjera gjatë javës së ardhshme që të ketë një ndryshim.
“Për të gjithë kryetarët e partive nuk bëjë ndonjë përjashtim, me asnjërin, secili kalon në interesa të ngushta jo në interes të shtetit, prandaj shteti ka nevojë për një qeverisje sidomos ka një interes për Gjykatën Speciale pas rrëzimit të mocionit atje.. Nuk kam votë për Fatmir Limën, nuk e meriton votën time. Kam deklarua që para fushatës kanë folur mjaft rëndë për Albinin e pas fushatës e vlerësojnë”, tha Hasani.
Deputetët e zgjedhur do të mblidhen sot për herë të dyzet e nëntë herë (49), në vazhdimin e seancës për konstituimin e legjislaturës së nëntë duke filluar nga ora njëmbëdhjetë. Vazhdimi i kësaj seance vjen pas më shumë se pesë muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë./A. Shala

















