​Osmani: Në maj kam marrë informacione për veprime konkrete të Serbisë ndaj Kosovës

E publikuar: 17/07/2025 17:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se në fund të muajit maj kanë marrë informata specifike për veprime konkrete të Serbisë për destabilizimin e Kosovës. Ajo theksoi se për këtë çështje ka informuar aleatët e vendit, madje përmendi edhe një deklaratë të ministrit në detyrë, Ejup Maqedonci, në atë periudhë, ku ka bërë të ditur se ushtria serbe është pozicionuar afër kufirit me Kosovën. Megjithatë, e para e vendit theksoi se qytetarët nuk kanë nevojë për panik dhe shqetësim, pasi institucionet e vendit e kanë situatën nën kontroll, raporton KosovaPress.

Presidentja Vjosa Osmani, javën e kaluar gjatë qëndrimit të saj në SHBA, ka thënë se presidenti amerikan Donald Trump, kohëve të fundit ka parandaluar një sulm të Serbisë ndaj Kosovës.

Kjo ka nxitur reagime në Kosovë, por edhe në SHBA, ku Richard Grenell, i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për Misione të Posaçme, e ka kritikuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për, siç ka thënë, “manipulimin e fjalëve” të presidentit amerikan.

Megjithatë, Osmani, në një konferencë për media të enjten, u shpreh më e rezervuar për të komentuar deklaratat e Grenell, derisa theksoi se deklaratat e saj i bëri vetëm në bazë të mënyrës si i ka kuptuar fjalët e Trumpit dhe nuk i ka interpretuar ato.

“Gjatë vizitës së fundit në Shtetet e Bashkuara kam deklaruar se Serbia ka pasur qëllim dhe ka ende qëllim të destabilizojë situatën në rajon dhe të përshkallëzojë situatën në Kosovë. Ky vlerësim është bërë mbi bazën e informatave të vazhdueshme që ne si institucione i marrim nga institucionet e sigurisë së Kosovës. Në fund të muajit maj kemi marrë informacione të reja specifike lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën. Menjëherë pas këtyre informacioneve kam pasur takime me institucionet e sigurisë që më raportojnë si presidente dhe jemi siguruar që çdo institucion në Kosovë të ketë mobilizimin e duhur për mbrojtjen e vendit. Menjëherë këto informata i kam ndarë me aleatët tanë të sigurisë, duke kërkuar mbështetjen e tyre për të ndalur përshkallëzimin e planifikuar nga ana e Serbisë. Prandaj, gënjeshtrat e Serbisë se kinse ajo nuk ndërmerr hapa për destabilizim janë pjesë e propagandës së tyre… Ju kujtohet se në fund të muajit maj, ministri i Mbrojtjes kishte folur publikisht për këto tendenca destabilizuese të Serbisë, përfshirë pozicionimin e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën. Ai u sulmua ashpër se ‘sulmoi publikun’ dhe tash janë ata që e sulmuan që thonë pse nuk na keni informuar. Në fakt, ka pasur informata për tendencat destabilizuese të Serbisë që i kemi ndarë përmes mediave me publikun”, theksoi ajo.

E para e vendit tha se e vlerëson rolin e presidentit Trump si paqebërës dhe se deklarata e saj ka qenë më shumë një vlerësim ndaj tij për këtë rol.

“Unë jam përgjigjur në pyetje dhe pyetja ka qenë për deklaratat në kohën e fundit. Unë i ftoj qytetarët t’i dëgjojnë ato deklarata për të cilat unë jam pyetur. Mund t’i dëgjoni vetë dhe i ftoj qytetarët të dëgjojnë nëse unë kam keqinterpretuar ndonjë gjë. Në atë deklaratë, e përkthyer është: ‘Ju e dini se javët e fundit u kujdesëm për Indinë dhe Pakistanin dhe Kosovën e Serbinë’… Unë po lexoj transkriptin e deklaratave. Kur jam përgjigjur në pyetje në këto deklarata, kam thënë se mënyra sesi e kuptojmë ne – nuk kam interpretuar deklaratat e presidentit Trump – por është mënyra sesi kam kuptuar unë. Ne e vlerësojmë rolin e presidentit Trump si paqebërës dhe si njeri që punon ditë e natë për paqe. E tërë deklarata ime ka qenë në drejtim të vlerësimit të tij dhe udhëheqjes së tij, pasi përmes kësaj udhëheqjeje ka pasur suksese të shumta. Nuk dua të komentoj sesi e kanë komentuar të tjerët deklaratën time,” theksoi ajo.

Duke folur për kritikat në Kosovë sa i përket deklaratës së saj për Marrëveshjen e Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë të arritur në vitin 2020, ajo insistoi se Kosova e ka zbatuar atë, ndërsa ish-kryeministrin Avdullah Hoti e quajti “njeriun më jorelevant” dhe tha se nuk dëshiron të humbë asnjë sekondë për të.

“Hoti është njeriu më jorelevant mbi të cilin nuk dua të humb asnjë sekondë. Unë dua të them një gjë – vetëm Serbia akuzon Kosovën për moszbatim të marrëveshjeve. A i keni lexuar këto marrëveshje dhe cilën pjesë nuk e ka zbatuar Kosova? Kosova ka hapur ambasadën në Jerusalem, Kosova nuk lejon të bëjë marrëveshje ekonomike për 5G as me Kinën dhe as me armiqtë e tjerë – ku ne e kemi zbatuar, Serbia jo. Serbia ka qenë e detyruar të mbyllë bizneset kineze dhe kurrë s’i ka mbyllur,” përfundoi Osmani.