Policia ndau të dhëna personale kundërligjshëm, AIP konstaton shkelje dhe urdhëron masa urgjente

E publikuar: 16/07/2025 17:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës ka dështuar të mbrojë të dhënat personale të qytetarëve, duke lejuar publikimin e tyre në mënyrë të papërshtatshme në platformën shtetërore të prokurimit elektronik. Si pasojë e kësaj shkeljeje të rëndë, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka ndërhyrë me një vendim të prerë, duke e obliguar Policinë që të marrë masa urgjente teknike dhe organizative për të garantuar sigurinë e të dhënave personale.

Rasti ka të bëjë me një tender publik të Policisë së Kosovës, konkretisht me dosjen e tenderit nr. 214-22-10936-5-1-1 136, që kishte të bënte me ndërtimin e Stacionit Policor në Veri të Prishtinës. Në këtë dosje, e publikuar në sistemin E-Prokurimi, ishin të përfshira dokumente që përmbanin të dhëna shumë të ndjeshme të punëtorëve të kompanisë konkurruese ASTRAPLAN. Në E-prokurim ishin publikuar datëlindje, numra personalë, numra telefoni, adresa email, gjini, kombësi, e të tjera informacione që i identifikonin qartë individët, e që kjo sipas AIP është shkelje falgrante e të dhënave personale raporton Infosot.

pas ankesës së parashtruar në AIP, kompania kishte kërkuar disa herë largimin e të dhënave nga publikimi, por Drejtoria e Prokurimit e Policisë nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim konkret, duke lejuar që këto informacione të qëndronin të qasshme për publikun. Vetëm pas ndërhyrjes së Agjencisë, dokumentet janë larguar nga platforma, por kjo nuk e ka shmangur përgjegjësinë ligjore të Policisë.

Në bazë të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, AIP konstatoi se Policia kishte vepruar në kundërshtim me disa nene të rëndësishme të ligjit, përfshirë nenin 68, 69, 71 dhe dispozitat për parimet e përpunimit të të dhënave, si ligjshmëria, konfidencialiteti, minimizimi dhe llogaridhënia. Gjithashtu, u konstatua se Policia nuk ishte këshilluar me Zyrtarin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, siç është e detyrueshme për raste të tilla.

AIP në vendimin e saj ka urdhëruar që Policia e Kosovës të marrë masa urgjente për mbrojtjen e të dhënave personale, të garantojë që përpunimi dhe publikimi i tyre të bëhet në përputhje me ligjin dhe të raportojë brenda 15 ditësh për zbatimin e këtij vendimi.

Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë pas pranimit dhe përbën një precedent serioz për trajtimin e të dhënave personale nga institucionet publike. Agjencia ka theksuar se përpunimi i paautorizuar i të dhënave përbën shkelje të të drejtave themelore të njeriut dhe çdo institucion publik duhet të jetë i vetëdijshëm për përgjegjësitë ligjore që bart në këtë drejtim.

Infosot ka raportuar po ashtu se si të dhënat personale ishin ndar kundërligjshëm edhe nga Zyra e Kryeministrit, e që AIP kishte obliguar të merrte masa urgjente për ruajtjen e tyre.

Brenda pak kohësh, dy institucione shumë të rëndësishme bien ndesh me ligjin, duke nda të dhëna personale në mënyrë të paligjshme. (https://infosot.com/zyra-e-kryeministrit-shkel-privatesine-te-dhenat-personale-te-qytetarit-perfundojne-te-stafi-politik-i-ministrise-se-drejtesise shtine me link) /Infosot/

Vendim-Urdherues-Nr.56-ndaj-Policise-se-Kosoves d