Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar për vendimin e Gjykatës Supreme që shpall të paligjshëm një vendim të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati lidhur me arkat fiskale.
Përmes një postimi në Facebook, LDK thotë se e mirëpret vendimin e Gjykatës Supreme mbi të cilin konfirmohen shkeljet kushtetuese dhe ligjore nga ana e deputetëve që pas certifikimit të zgjedhjeve vazhdojnë të mbajnë detyra ekzekutive.
“Gjykata Supreme ka konstatuar qartazi se ministrat e certifikuar si deputetë, në çdo nxerrje vendimi veprojnë në shkelje të rëndë ligjore, kanë uzurpuar dhe po ushtrojnë funksionet në mënyrën e paligjshme dhe arbitrare pas përfundimit të mandatit”, thuhet në reagim.
LDK njoftoi se ka ushtruar 17 kallëzime penale ndaj ish ministrave që kanë vazhduar funksionin e tyre si ministra në detyrë, pas certifikimit si deputetë.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të veprojë menjëherë, duke potencuar se vendimi i Gjykatës Supreme ka konfirmuar veprimet kundërkushtetuese dhe të kundërligjshme.
“LDK-ja kërkon nga Prokuroria e Shtetit që të trajtojë me prioritet këto shkelje të rënda kushtetuese dhe ligjore dhe të veprojë pa vonesë mbi bazën e kallëzimeve penale të parashtruara nga deputetët tanë. Vendimi i Gjykatës Supreme tashmë e ka konfirmuar se kemi të bëjmë me veprime kundërkushtetuese dhe të kundërligjshme”, thuhet tutje në reagim.
















