Vrasja e policit në Kaçanik, Prokuroria kërkon burgim për të miturin

E publikuar: 15/07/2025 18:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka paraqitur propozim për shqiptimin e dënimit me burgim për të mitur ndaj një të mituri të dyshuar për përfshirje në vrasjen e zyrtarit policor M.L., ngjarje kjo që ka ndodhur më 1 prill 2025 në Kaçanik.

Sipas prokurorisë, vrasja ka ndodhur në rrugën “Idriz Seferi”, në afërsi të banesës së viktimës, ku i mituri në bashkëkryerje me të pandehurit e tjerë, me dashje dhe përgatitje paraprake, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të viktimës. Sipas hetimeve, janë dëgjuar katër të shtëna nga një armë zjarri e kalibrit 9.19 mm, të cilat i shkaktuan plagë fatale zyrtarit policor.

Pas kryerjes së aktit, i mituri është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe është bashkuar me të pandehurin tjetër, i cili e priste jashtë objektit banesor. Viktima, siç është konfirmuar nga raporti i autopsisë, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Prokuroria ka theksuar se rasti përbën veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I mituri ndodhet në paraburgim që nga data 21 prill 2025.