Ahmet Daku, veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Zona Operative e Karadakut, ka reaguar pas dënimit të tij nga organet e drejtësisë, të cilin e cilëson si të padrejtë dhe të motivuar politikisht. Ai thotë se prej më shumë se shtatë vitesh është mbajtur peng nga një akuzë pa asnjë bazë dhe se dënimi i fundit është vazhdim i një fushate të organizuar kundër atyre që luftuan për lirinë.
“Në një shtet që ende nuk ka ndërtuar drejtësinë e vet, por udhëhiqet nga ndikimet e jashtme dhe frika nga e kaluara jonë e lavdishme, nuk pritet drejtësi për ata që sakrifikuan,” ka deklaruar Daku. Ai shtoi se ky dënim nuk do ta ndryshojë të vërtetën apo historinë e luftës, dhe se nderi i tij mbetet lufta për liri.
ku e përmbyll reagimin e tij duke theksuar se, ndonëse i dënuar, nuk ndjehet i turpëruar dhe se koha do të tregojë të vërtetën.
Postim i plotë
Në një shtet që ende është në formim, padrejtësitë janë bërë pjesë e përditshmërisë. Një shtet që akoma nuk ka ndërtuar drejtësinë e vet, por udhëhiqet nga ndikimet e jashtme dhe frika nga e kaluara jonë e lavdishme, nuk mund të sillet ndryshe ndaj atyre që sakrifikuan për këtë tokë.
Prej më shumë se 7 vitesh jam mbajtur peng me një akuzë që kurrë nuk ka pasur asnjë bazë. Sot, pas gjithë këtij kalvari të padrejtë, vjen edhe dënimi. Kjo nuk është drejtësi, por një vazhdim i një fushate të njohur, gjuetia ndaj bartësve të luftës, ndaj atyre që morën armët për lirinë dhe themeluan këtë shtet.
Një pjesë e shoqërisë ndoshta sot feston, e verbuar nga urrejtja dhe injoranca. Por unë nuk kam luftuar për ata që sot gëzohen për padrejtësinë. Kam luftuar për një shtet të lirë dhe të drejtë, edhe pse ky shtet ende është larg asaj ëndrre.
Unë nuk jam as i pari, as i fundit që dënohet padrejtësisht në këtë vend. Por e them qartë, asnjë dënim nuk mund ta ndryshojë të vërtetën, as historinë tonë. Ju mund të më dënoni, por jo të më turpëroni. Nderi im mbetet lufta për liri, dhe këtë asnjë pushtet nuk mund ta fshijë.
Ky është realiteti i një shteti të papjekur, të ndërtuar mbi ndikime të jashtme dhe frikë nga e kaluara. Por si gjithmonë, koha do ta tregojë të vërtetën.


















