Kuvendi i Kosovës ndodhet në një situatë të pazakontë, as nuk është konstituuar, as nuk funksionon, por megjithatë, prokurimet nuk ndalen. Deputetët ende nuk kanë zgjedhur kryetarin e Kuvendit, as nënkryetarët dhe as organet drejtuese, por janë kujdesur që të nënshkruajnë kontratë për sigurim shëndetësor jashtë vendit, për vete, për stafin politik dhe për administratën me para të qytetarëve, raporton Infosot.
Bëhet fjalë për kontratën e datës 2 qershor 2025, të lidhur me kompaninë K.S. “Dukagjini” Sh.A me vlerë 2 mijë e 832 euro për një pjesë të shërbimit, ndërsa totali i planifikuar për kontratën trevjeçare është 14 mijë 550 euro. Sipas njoftimit zyrtar të përgatitur nga Kuvendi dhe të publikuar nga Zyra e Prokurimit, kontrata ka të bëjë me sigurimin shëndetësor për udhëtime jashtë vendit për të gjithë deputetët dhe stafin përkatës.

Ironikisht, ky sigurim vlen për udhëtime jashtë vendit, në një kohë kur Kuvendi ende nuk e ka zyrtarizuar vetveten, e lëre më të përfaqësojë vendin në ndonjë forum ndërkombëtar. Madje, deputetët janë në fazën kur as nuk po flasin nga foltorja e tyre, sepse ende nuk ka një të tillë të zgjedhur por kanë marrë masa që, nëse dikush udhëton, shëndeti të jetë i siguruar.
Ngërçi politik vjen si rezultat i mosmarrëveshjeve për emrin e kryetarit të Kuvendit. Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun, mirëpo ajo nuk po gëzon përkrahjen e partive tjera opozitare PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës. Këto të fundit kanë kërkuar zëvendësimin e saj me një emër tjetër, për të mundësuar konstituimin e Kuvendit.
Ndërkohë që populli sheh një Kuvend të bllokuar e të paralizuar, për të cilin mbahen seanca që nuk prodhojnë asgjë përveç retorikës.

Deputetët nuk po i japin dot vendit një kryetar Kuvendi, por nuk harrojnë ta mbulojnë veten me sigurime. Paga të mira edhe sigurime shëndetësore me taska të qytetarëve, por punën nuk po e kryejnë për çka janë votuar.
Përfaqësimi institucional në Kosovë mund të jetë në komë, por shëndeti i përfaqësuesve është i siguruar me taksat e qytetarëve./Infosot/


















