(E përditësuar) Leonard Ademaj gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën Themelore në Prishtinë, tregoi për takimin me fëmijët e Liridona Ademajt në Suedi.
“Kur kam shkuar në Suedi, kam kërkuar takim me fëmijët, takimi me ta ishte shumë prekës pasi që fëmijët në prezencë të psikologëve më treguan qe kanë qenë në veturë kur u vra Liridona. Fjalët e Diarit, janë këto: hajni e ka futur dorën dhe ja ka bërë mamit bam. Po ashtu, tregojnë qartë se si Naim Murseli e mbajti për dore në momentin e fundit të vrasjes. Gjithashtu përditësimin e të dhënëve të tyre, të cilin e marrë unë, fjalët e tyre janë të po këtij lloji”.
Gjatë dëshmisë së tij, Leonardi tregoi se në ditën e varrimit e kishin vërejtur ftohtësinë e bashkëshortit të motrës, Naim Murselit.
Ai tha se ishte tronditëse që dyshimet e tyre u vërtetuan.
“Në orën 07:00 të mëngjesit, kemi shkuar në Cërmjan për të pritur ngushëllimet e njerëzve të cilët vinin, aty ishin edhe prindërit e Naimit, Kushtrimit. Njerëzit vinin për të parë në të pame, Naimi nuk ishte aty. E kam thirrur rreth orës 10:00 dhe i kam thënë ‘Ku je qe nuk ke ardhur hala’. Ma ka thënë fëmijët janë duke u marrë në pyetje, rrugës jam duke ardhur. Pasi ka arritur trupi i Liridonës, rreth orës 11:00 ka ardhur edhe Naimi. Dhe pastaj është kryer ceremonia e varrimit, në fakt, gjatë varrimit ajo çfarë binte në sy më së shumti ishte qetësia e Naimit së bashku me Kushtrimin, jo nga mërzia qe prisnim ne të qanin ata, por rrinin shumë të ftohtë por, po ashtu edhe në raport me mediat qe ishin prezent. Pas varrimit, familja jonë, direkt është kthyer në shtëpi, kur kemi mbërri në shtëpi, babai na tha qe miqësia mes nesh dhe familjes së tyre ka mbaruar këtu. Sepse si ka mundësi qe Naimi ka ikur nga vendi i ngjarjes së bashku me fëmijët, ndërsa Liridona ka mbet aty. Nuk ka vonuar gjysmë ore dhe e kemi parë në gazeta që është arrestuar Granit Plava, pas pak minutash kemi marrë vesh edhe për arrestimin e Kushtrim Kokallës”, tha ai.
Ai u pyet nga avokati i palës të akuzuarit se gjatë kohës sa ka shkuar në spital, a është telefonuar nga dikush për ngushëllime.
Syla: A ju ka thirr familja e Naim Murselit?
Ademaj: Jo, nuk na ka thirrur.
Syla: Fillimisht lajmin për vrasjen e Liridonës, nga kush e keni marrë?
Ademaj: Nga babai i Kushtrim Kokallës. Ka thirr në telefon dhe ka thënë a e keni parë në lajme se u vra Liridona. Gruaja e parë e babait tim, është halla e Kushtrimit, ndërsa gruaja e dytë është nana biologjike e jona, por pasi kemi jetuar në Zvicër jemi në emër të gruas së parë.
…………………………………………………………
Vëllai i Liridona Ademajt nis dëshminë para gjykatës
Vëllai i Liridona Ademajt, Leonardi, ka nisur të hënën, më 14 korrik, dëshminë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Liridona Ademaj u vra në moshën 30 vjeçare, më 29 nëntor të vitit 2023, në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
Vëllai i saj foli për natën kritike para trupit gjykues, duke thënë se kishin qëndruar zgjuar deri në mëngjes.
“Në natën kritike, diku rreth orës 10:00, më ka telefonuar bashkëshortja në telefon dhe më ka thënë ‘a e nive që e kanë vra Liridonën’. Kur kam shkuar në shtëpi gjendja e prindërve ishte tejet e rëndë, nuk dija se çfarë të bëja, e kam marrë veturën, i kam marrë edhe prindërit me vete dhe kam shkuar në spitalin në Gjakovë. Gjatë rrugës lexoja në gazeta qe po, Liridona është vrarë. Kur kam shkuar në spital u kam thënë mjekëve a mundeni me ju dhënë qetësues prindërve, sepse po flitet se motra ime ka vdekur. Pasi e kanë marrë trajtimin mjekësor kemi vazhduar për në Prishtinë, më saktësisht në QKUK. Kur kemi shkuar në spital aty, kishte policë të shumtë të cilëve ju drejtova me pyetjen ‘a mund të di për rastin e Liridona Ademajt, ata më thanë që duhet të shkosh në stacionin policor në Drogodan. Polici më ka treguar me lokacion se ku të shkojë. Kur kam shkuar në polici, aty kishte zyrtar policor dhe njëra nga policet qe ishte ua kumtoi edhe lajmin për vdekjen e Liridonës prindërve. Gjendja ishte tejet e rëndë dhe pas pak minutave aty erdhi edhe ambulanca. Unë kam thënë se ku janë fëmijët dhe Naimi, më kanë thënë janë brenda”, tha ai.
Ai përmendi edhe takimin me fëmijët e Liridonës.
“Kur kam pyetur se ku është Naimi, më kanë thënë se është duke dhënë deklaruar. Pas një ore apo një ore e gjysmë, Naimi ka dalë nga policia, ne fëmijët i kishim marrë me veturë, kur ka dalë Naimi nga policia aty ishte prezent edhe Kushtrim Kokalla. Ne e kemi pyetur Naimin se çfarë ndodhi. Ai na tha që ‘na ka dalë një hajn me armë dhe na ka kërkuar të holla’. Unë tha i kam nxjerrë të hollat dhe i kam thënë edhe Liridonës nxjerri krejt çfarë ki. Unë i kam hapur dyert dh ju kam thënë djemve me ik. Pasi kemi shkuar diku tha pesë metra e kam dëgjuar një krismë, por unë tha vazhdoja të ikja me fëmijët. Ka ardhur një veturë në drejtim tonin dhe ka dashur të na shkel mua dhe fëmijët. Kam kërkuar ndihmë nga shtëpitë aty por nuk më kanë dhënë ndihmë. Kam shkuar në market, aty i kam thënë pronarit se a mundesh me i shiku fëmijët se po dua të kthehem se ma kanë vrarë gruan. Më kanë thanë jo, rri këtu priti policinë. Pasi ishte mesnatë, fëmijët ishin të lodhur dhe të rraskapitur, se bashku më familjen i kemi marrë në shtëpinë tonë. Naimi ka qëndruar aty bashkë më Kushtrimin”, tha ai.
Ai tregoi se të nesërmen, ka provuar të kontaktojë me bashkëshortin e Liridonës, Naim Murselin – i akuzuar për këtë vrasje, pasi, siç tha ai, nuk e dinin se ku ndodhej.
“E kam telefonuar Valon Llukën më ka thënë merre numrin e shoferit që është Naimi dhe kontakto me të. Pasi e kam thirr në telefon shoferin, ai më ka thënë se Naimi gjendet në [hotel] Swiss. Jemi nisur së bashku me djalin e axhës, djalin e dajës dhe tezakun, kur kemi shkuar në Swiss na kanë thënë që Naimi është në dhomë lart. Ai ishte ratë në krevatin e tij, kishte disa sende ushqimore në tavolinë, po ashtu kishte porositur dhe drekën. Nga habia ne mendonim se është i frikësuar dhe kjo është mërzia qe e vuan. I kam thënë mundemi me shku në morg me pa Liridonën, më ka thënë jo, nuk na lejohet. Pasi diku 10 minutave, e kam thirrë personalisht vetë spitalin dhe i kam thënë që jam vëllai dhe nëse kanë përfunduar të gjitha procedurat a mund të vijmë ta shohim trupin. Më kanë thënë po, qe mundeni me e pa. Kemi shkuar në morg , me neve erdhi edhe Naimi dhe shoferi”, deklaroi ai.
Vrasja e 30 vjeçares fillimisht ishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”. Më pas, dy ditë më vonë, policia arrestoi dy persona – përfshirë bashkëshortin e Liridonës, Naim Murselin.
Prokuroria tha më pas se Naim Murseli kishte premtuar 30.000 kompensim për vrasjen e bashkëshortes.
Për vrasjen e Liridona Ademajt akuzohen edhe Kushtrim Kokalla e Granit Plava. Ndërkaq, Tom Dodaj ishte përfshirë në aktakuzë pasi i njëjti ia kishte shitur Murselit armën me të cilën ishte kryer vrasja.
Ky lajm do të përditësohet.



















