“Hipokrizi e radhës, ti me Kurtin e luftuat”: Hoti i reagon Osmanit pasi tha se e kanë zbatuar marrëveshjen e Washingtonit

E publikuar: 12/07/2025 13:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pasi presidentja Vjosa Osmani e quajti “marrëveshje të mirë” atë të arritur para pesë vitesh në Uashington, nën ndërmjetësimin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Madje, sipas Hotit, Osmani deklaroi edhe se po zbatrojnë të njëjtën.

Deputeti që atë kohë ishte kryeministër, ka deklaruar se Osmani dhe Kurti nuk e kanë zbatuar marrëveshjen por e kanë luftuar. Sipas tij, ata po mundohen ta përvetësojnë të njëjtën tani kur kanë ndryshuar rrethanat politike në ShBA.

“Asgjë e re nga Osmani, vetem hipokrizi e radhës!

Osmani, që dikur e quante Marrëveshjen e Uashingtonit cenim të rendit kushtetues dhe rrezik për shtetin, sot – pas 5 vitesh – e quan “marrëveshje të mirë” dhe madje pretendon se “e kemi zbatuar”.

Kjo është ajo që ndodh kur fitimi dhe mbajtja e pushtetit bëhet më i rëndësishëm se interesi shtetëror. Marrëveshja që dikur e luftonte për vota, sot shërben për lavdi të rreme.

Jo, ti e Kurti nuk e keni zbatuar këtë marrëveshje. E keni luftuar atë. Tani po mundohi ta përvetësoni kur kanë ndryshuar rrethabat politike në SHBA. Ky është kulmi i mashtrimit politik” – ka shkruar ai.