Mijëra kontrata njëburimore, nën llupën e Prokurorisë Speciale – ‘Burim për keqpërdorim të buxhetit të shtetit’

E publikuar: 11/07/2025 21:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Çështja e kontratave njëburimore ka vënë përballë pozitën dhe opozitën. Nga Prokuroria Speciale kanë njoftuar se janë duke trajtuar rreth 2 mijë raste të kontratave njëburimore, për çka kanë theksuar se ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të konstatimit të drejtë të gjendjes faktike për të gjitha dyshimet lidhur me rastin, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.

Mijëra kontrata njëburimore janë nën llupën e institucionit të Prokurorisë Speciale. Çështja e kontratave të tilla u riaktivizua pas debatit të ditëve të fundit për kontratën, e cila lidhet me ndërtimin e dy urave në Mitrovicë, për të cilën u raportua se është njëburimore.

”Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se nuk e ka në kompetencë të vlerësojë apo të aprovojë ndonjë projekt infrastrukturor, por theksojmë se roli i PS-së është të veprojë bazuar në ligjet në fuqi, në rastet kur ekzistojnë dyshime për keqpërdorim të fondeve publike. Prokuroria Speciale, nëpërmjet pesë prokurorëve të angazhuar, i ka aktualisht në trajtim afër 2 mijë kontrata një burimore”, thuhej në komunikatën e lëshuar.

Për hetimet, të premten foli deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, sipas të cilit, është për keqardhje hetimi i Prokurorisë që lidhet sidomos me urat në veri.

“Është në të vërtetë për keqardhje që Prokuroria Speciale e Kosovës në vend që të kryej obligimin dhe mandatin e saj kushtetues për luftimin e krimit të organizuar dhe elementit destruktiv që i bëhet si sabotazh shtetit tonë, është vënë në funksion të luftimit të institucioneve të Republikës së Kosovës. Fakti që dikush heton kontrata të cilat lidhen me angazhimin e qeverisë për të shtruar sovranitet, rend dhe ligj në veri të vendit, për të përmirësuar lirinë e lëvizjen, ndërtimin e urave dhe i sheh si rrezik e shkelje ligji, nuk kam fjalë tjetër përveç që të shprehi mllef, sikurse që kemi shpreh mllef pas tërheqjes së aktakuzës që kjo Prokurori e ka bërë për Radoiçiqin dhe klanit të tij”, tha Abrashi.

Sa i përket hetimit të kontratave njëburimore, ka folur edhe deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, sipas së cilës, këto po bëhen në dëm të buxhetit të Kosovës.

“Ne e mirëpresim çfarëdo lloj hetimi për të sqaruar tenderët njëburimor, është e pakapshme qysh një qeveri ka ardhur në pushtet, një parti politike ka ardhur në pushtet me kauzën kundërkorrupsion, e tash po bëhet simbol i korrupsionit në vend. Pikërisht ato procese që i ka kritikuar është duke i aplikuar dhe në kohë rekorde”, tha Lushaku.

Njohës të ligjit thonë se kontratat e negociuara janë burim për keqpërdorim të buxhetit të shtetit.

“Këto lloj kontratash, këto lloj procesesh duhet me qenë si rrethana përjashtuese e për fat jo të mirë, në disa prej viteve të fundit kjo është bërë si e rregullt, këto janë burim ose potencial për abuzim, për keqpërdorim, mirëpo nuk do të thotë apriori që çdo kontratë e tillë është, prandaj detyrë, është përgjegjësi e institucionit të Prokurorit të Shtetit që të ndërmarrë veprimet, por është e rëndësishme të inkurajohet prokuroria që të kryhej punën e saj në mënyrë të pavarur ,të paanshme dhe të pandikuar që të vij me rezultate nëse kemi të bëjmë me tejkalim të autorizimeve”, tha Ardian Bajraktari, avokat.

Të enjten Prokuroria Speciale njoftoi se ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të konstatimit të drejtë të gjendjes faktike për të gjitha dyshimet lidhur me rastin, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.