Kryeqyteti nis luftën kundër parkingjeve private pa leje

E publikuar: 11/07/2025 20:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për shkak të numrit në rritje të parkingjeve private pa leje, sidomos atyre që kanë qasje direkte në rrugë kryesore, udhëkryqe apo në zona të gjelbra, Komuna e Prishtinës ka nisur masa të menjëhershme për rregullimin dhe kontrollin e tyre.

Sipas njoftimit zyrtar, çdo parking privat do të duhet të aplikojë për leje të përkohshme, ku kriteret për dhënien e lejes do të përcaktohen në një akt administrativ që do të lëshojë Drejtoria e Shërbimeve Publike të komunës.

“Në të njëjtën kohë, nuk do të lejohet funksionimi i parkingjeve që kanë qasje direkte në rrugë kryesore apo udhëkryqe dhe pengojnë qarkullimin normal të automjeteve ose janë të vendosura në hapësira të gjelbra dhe në hapësira publike. Qëllimi i këtyre masave është krijimi i një rendi më të mirë, rritja e sigurisë në komunikacion dhe mbrojtja e hapësirave publike dhe mjedisit”, thuhet në reagim.