Shoqata e Prodhuesve të Kosovës kërkon pezullimin e vendimit të ZRRE-së

E publikuar: 16/06/2025 13:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shoqata e Prodhuesve të Kosovës në kuadër të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës kërkon edhe njëherë pezullimin e menjëhershëm të vendimit të padrejtë të ZRRE-së.

Bëhet e ditur se ky vendim dëmton rëndë prodhuesit, fabrikat dhe bizneset vendore, duke kërcënuar stabilitetin ekonomik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit privat në Kosovë.

“Vendim i padrejtë, i njëanshëm dhe i dëmshëm, i cili nuk reflekton as nevojat reale të ekonomisë, as sakrificat e sektorit privat në ndërtimin e Kosovës. Bizneset tona, fabrikat tona dhe punëtorët tanë nuk mund të jenë viktima të papërgjegjësisë institucionale dhe lojërave të errëta burokratike. LBK nuk do të ndalet. Ky vendim do të rrëzohet”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, ky vendim është sulm direkt ndaj prodhimit vendor dhe stabilitetit ekonomik të vendit.

“Ne e kemi për detyrë të mos heshtim. Ky vendim është sulm direkt ndaj prodhimit vendor, ndaj konkurrueshmërisë, investimeve dhe vetë stabilitetit ekonomik të vendit. Nuk do të ndalemi derisa të rikthehet drejtësia dhe interesi i përbashkët kombëtar”, thuhet në njoftim.