Erwan Fouere
Rrahja deri në vdekje katër vjet më parë e 21 vjeçarit Martin Neskoski, vetëm pak metra larg podiumit ku VMRODPMNE po festonte fitoren e vet në zgjedhjet e vitit 2011 në atë kohë ngriti pikëpyetje të rënda mbi kontrollin nga ana e partisë në pushtet të forcave të sigurisë dhe njësive policore speciale.
Dyshimet për fshehje të vrasjes së studentit të ri nga zyrtarë të lartë të qeverisë së Nikola Gruevskit tashmë janë konfirmuar nga bisedat më të fundit të përgjuara të cilat i publikoi udhëheqësi i opozitës këtë javë. Gjuha e pashpirt e përdorur nga zyrtarët më të lartë të zyrtarëve të lartë në këto biseda thekson qëllimin djallëzor të një regjimi që ka vendosur të mbetet në pushtet edhe nëse kjo do të thotë se për të mbajtur pushtetin duhet të shkelësh dinjitetin njerëzor dhe të injorosh standardet më minimale të njerëzillëkut dhe demokracisë. Ata reflektojnë arrogancën e sjelljes së partisë në pushtet përkundrejt nënshtetasve të Maqedonisë dhe i japin një kuptim të ri një fraze të mirënjohur, “banalitetit të së keqes”. Fakti që kryesi i vrasjes në fund u gjykua dhe u dënua është një ngushëllim i vogël për familjen e viktimës së pafajshme që vdiq nga goditjet e një zyrtari sigurie të punësuar nga regjimi. Duke ia shtuar këtë të gjitha rasteve të tjera të dyshuara për korrupsion dhe abuzim me pushtetin në nivelet më të larta të qeverisë, këto zbulime të fundit shkaktuan zemërim të kuptueshëm mes njerëzve që u mblodhën në numra të mëdhenj këtë javë për të protestuar para ndërtesës së policisë dhe që u përballën me policë të pajisur deri në dhëmbë. Dhuna që pasoi qe në rrethana tërësisht të pajustifikueshme dhe mund të shmangej në rast se qeveria do të ngurronte të ndiqte dëshirën e vet të brendshme për të imponuar rregull përmes forcës. Përgjigjja nga qeveria është tipike e një regjimi që nuk kupton rëndësinë e vërtetë të dialogut dhe që i konsideron të gjitha demonstratat kundër saj si të sajuara dhe të manipuluara nga opozita. Nga studentët e arkitekturës që folën kundër projektit të rilindjes urbane Shkup 2014 te studentët që protestuan kundër reformave të imponuara nga qeveria në arsim te gazetarët që u përballën me kanosjen dhe folën për lirinë e medias, sjellja e qeverisë ka qenë gjithnjë e njëjta. Ajo i ka hedhur poshtë kërkesat e protestuesve duke i shpallur ata tradhëtarë apo të motiviar politikisht. Nuk ka pse të habitemi se ky regjim i diskretituar po simbolizon gjithnjë e më shumë kulturën e konfrontimit dhe dhunës – me nivele intolerance të papara në historinë 23 vjeçare të këtij vendi që nga dita e pavarësisë. Me fakte të mëtejshme që pritet të publikohen nga skandali i përgjimeve gjatë ditëve të ardhëshme, demonstratat ka gjasa do të rriten pavarësisht përpjekjes së qeverisë për të diskretituar protestuesit dhe për t’i frikësuar ata me prani të rëndë të forcave policore. Njerëzit që po protestojnë nuk kanë dalë në shesh për senduiç falas apo udhëtimet e detyruara me autobuzë, tipari i përbashkët e mitingjeve të VMRODPMNE. Ata kanë dalë në rrugë sepse janë ngopur me mashtrimet, pandershmërinë, kanosjet dhe frikën që kanë qenë tipar i viteve të fundit. Ajo që është gjithashtu goditëse te këto demonstrata është që ata kanë nxjerrë bashkë komunitetet e ndryshme etnike, të bashkuar në një kauzë të përbashkët, për t’i thënë qeverisë që mjaft do të thotë mjaft. Pamjet e flamujve shqiptarë, maqedonas e serbë të mbledhur sëbashku mbi protestuesit qe me të vërtetë e jashtëzakonshme. Ato tregojnë pakënaqësitë e thella kundër qeverisë që janë shtrirë në të gjithë vendin. BEja nuk duhet të qëndrojë pasive, duke shpresuar se bisedimet që po vijojnë me ndërmjetësinë e një delegacioni të Parlamentit Europian do të sjellin një zgjidhje. Edhe sa demonstrata të tjera, edhe sa të plagosur të tjerë duhet të kemi para se BEja t’i bëjë të qartë Gruevskit se sa më gjatë të qëndrojë në pushtet, aq më rëndë do të dëmtojë të ardhmen e vendit? Kryeministri nuk e ka mbajtur premtimin e vet për të hapur hetime mbi aludimet e krijuara nga përgjimet por ka bërë gjithçka që të jetë e mundur për të zhvendosur vëmendjen nga përmbajtja denoncuese e këtyre bisedave të përgjuara. Në të njëjtën kohë, po bëhet gjithçka që mundet për të çuar përpara akuzat për spiunazh dhe “dhunë kundër shtetit” të ngritura kundër udhëheqësit të opozitës. Natyrisht kjo do të qe e mjaftueshme për të bindur më në fund BEnë për natyrën e pabesueshme dhe të diskretituar të këtij regjimi.