Oda Ekonomike Shqiptare ka deklaruar mbështetjen e saj për protestën e paralajmëruar të bizneseve të Kosovës, e cila do të zhvillohet sot në Prishtinë, duke filluar nga ora 11:00.
Në një komunikatë për media, Oda thekson rëndësinë e krijimit të një komunikimi të shëndoshë dhe të vazhdueshëm mes Qeverisë dhe komunitetit të biznesit, si kusht themelor për zhvillim ekonomik dhe stabilitet social. Sipas Odes, mungesa e këtij komunikimi ka ndikuar negativisht në përballimin e krizës energjetike dhe në veçanti të rritjes së çmimeve të energjisë elektrike, të cilat po vështirësojnë operimin e bizneseve në Kosovë.
“Rritja enorme e çmimit të energjisë elektrike është pothuajse e papërballueshme për bizneset që janë shtylla e ekonomisë së vendit dhe kontribues të drejtpërdrejtë në buxhetin e shtetit,” thuhet në deklaratën e Odes.
Oda Ekonomike Shqiptare bën thirrje për ndërhyrje urgjente institucionale për të adresuar kërkesat legjitime të sektorit privat dhe për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme që mbrojnë interesin ekonomik të vendit.
















