Kallas: Inkurajoj të gjitha partitë politike që të dalin nga ngërçi politik, vetëm kështu Kosova përfiton nga BE

E publikuar: 22/05/2025 17:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka theksuar se nuk ka rrugë të shkurtër për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke riafirmuar rëndësinë strategjike që Ballkani Perëndimor ka për BE-në.

Në një prononcim për media nga Prishtina Kallas ka bërë të ditur se procesi i zgjerimit të BE-së do të jetë një nga prioritetet e saj, duke vënë në pah aspiratat e qytetarëve të Kosovës për t’u bërë pjesë e bllokut evropian.

“Në Kosovë, pjesa dërmuese e qytetarëve duan anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, u shpreh ajo.

Megjithatë, Kallas theksoi se për t’iu afruar BE-së, Kosova duhet të ketë institucione funksionale dhe stabile. Ajo u bëri thirrje të gjitha partive politike që të kapërcejnë ngërçin aktual politik dhe të punojnë drejt formimit të institucioneve të reja.

“Inkurajoj të gjitha partitë politike që të dalin nga ngërçi politik në mënyrë që të formohen institucionet, ashtu që Kosova të mund të përfitojë nga mbështetja jonë,” tha ajo.

Një tjetër çështje që Kallas e veçoi si prioritet ishte procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Ajo konfirmoi përkushtimin e BE-së në lehtësimin dhe mbështetjen e këtij procesi.

“Ju jeni partnerë të barabartë në tavolinë dhe, si përfaqësuese e BE-së, do të mbështes këtë proces”, përfundoi Kallas.