Kryetari i NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se Kosova është në prag të krijimit të një shumice të re parlamentare, e cila do të mundësonte zhbllokimin e situatës aktuale politike.
Duke folur për zhvillimet e fundit, Limaj theksoi se partia e tij është e gatshme të japë kontributin maksimal në këtë proces.
“Shumica formohet para se të shkohet në Kuvend e në votim”, tha Limaj, duke lënë të kuptohet se ekzistojnë lëvizje të rëndësishme politike prapa skenës.
Ai u shpreh optimist se, “Kosova do ta ketë së shpejti shumicën parlamentare”, duke shtuar se ky është hapi i domosdoshëm për të dalë nga ngërçi institucional.

















