Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nuk e ka të qarta qëndrimet e partive tjera në lidhje me konstituimin e Kuvendit.
Ndonëse PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja deri me tani me dhjetëra herë i kanë treguar qëndrimet e tyre, Kusari-Lila ende nuk e ka të qartë.
“E kemi të pa qartë se cila është kërkesa e opozitës në këtë situatë. Është e qartë se cili është synimi ynë kur vijmë secilën herë në Kuvend, vijmë për të votuar, për të konstituar Kuvendin”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo ka bërë me dije se nëse PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja duan të bëjnë qeverinë e opozitës, ato fillimisht duhet të votojnë kryetarin e Kuvendit.
“Nëse duan ta bëjnë qeverinë, ose të jenë pjesë e një qeveri të përbërë nga partitë e deridjeshme opozitare atë nuk mund ta kenë pa u votuar kryetari i Kuvendit, nënkryetarët dhe pa u konstituuar Kuvendi. Prandaj në rrethanën në të cilën jemi është një situatë në të cilën bllokuesi të vetëm janë partitë që sot nuk marrin pjesë në votim”, ka thënë Kusari-Lila.

















