Shkruan: Blerim Latifi
Ju kujtohet fati i Sizifit në mitologjinë antike greke: Perënditë vendosën ta ndëshkojnë Sizifin me një dënim të përjetshëm: të shtyjë një shkëmb të madh përpjetë një mali, por sa herë që shkëmbi arrinte pranë majës, ai rrokullisej poshtë në luginë, dhe Sizifi duhej ta niste gjithçka nga fillimi.
Ideja e mitit: s’ka dënim më të madh për njeriun se ta dënosh atë të kryej një punë absurde, të pakuptimtë, pa rezultat.
Sot Kuvendi i Kosovës është kthyer në një teatër absurdi, ku sizifët e tij përsërisin çdo 48 orë, nga fillimi, një veprim absurd.
Por derisa Sizifin mitik e dënuan perënditë, këta sizifët tanë kush i dënoi me këto seanca absurde?
I kanë dënuar perënditë e interesit të ngushtë personal. Duke filluar nga partia Vetëvendosje, e cila, duke shkatërruar kulturën politike të kompromisit, ka mbetur me vetëm një instrument në duar për të mbetur në pushtet: bllokadën parlamentare. Në stilin: Ose ne në pushtet, ose askush tjetër!
Në tregimin mitik të Sizifit nuk ka rrugëdalje nga absurdi, ndërsa në përpunimin filozofik që Albert Kamy ia bën këtij tregimi, rrugëdalja gjendet përmes aktit të rebelimit ndaj absurdit.
A është i mundur ky akt rebelimi ndaj absurditetit sizifian në Kuvendin e Kosovës?
Më vjen keq ta them, por dyshoj.
Për një arsye: ka kohë që ne jemi mësuar të jetojmë në dhe me absurditete. Ato janë normalizuar në jetën tonë. E normalizimi nuk premton revoltë. Përkundrazi.
Mirëupafshim në shfaqjen sizifiane të radhës në të ashtuquajturin Kuvendi i Kosovës! Pas 48 orësh.
















