Shkruan: Blerim Latifi
Diktaturat nuk lindin vetëm nga njerëz që duan të kenë pushtet absolut dhe për t’ia arritur këtij synimi nuk zgjedhin mjete.
Diktaturat lindin edhe nga njerëz me pretendime të tjera, që janë të rrafshit epistemologjik e moral. Në këto raste kemi të bëjmë me njerëz që kanë vetëvlerësim absolutist për veten. E mendojnë veten të pagabueshëm, të pakorruptueshëm dhe moralisht superior mbi kundërshtarët e tyre. Dhe të tillët, kur vijnë në pushtet dhe ballafaqohen me dështimet, gabimet dhe abuzimet e pushtetit të tyre, në vend të autokritikës, vrapojnë t’i akuzojnë të tjerët për krejt gjërat që shkojnë keq mbi faqe të dheut. Është vlerësimi absolutist për veten që i shpie në këtë rrugë.
Projektimi i të gjitha të këqijave tek të tjerët, nuk vonon të prodhojë bindjet konspirative mbi politikën. E kur këto bindje besohen përnjëmend, vetëm një hap larg ndodhet diktatura institucionale.
Krejt këto dihen prej kohësh, por, siç thotë diku një autor francez, meqë njerëzit, ta hajë dreqi, nuk po marrin vesh, atëherë duhet t’i përsërisim e përsërisim vazhdimisht ato që janë thënë e dihen qysh moti.
















