Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, është shprehur shqetësuar me rënien e Kosovës në renditjen e Indeksit për Liri të Shtypit.
Ai ka vlerësuar se Qeveria Kurti po kthehet në një makineri represive kundër lirisë së shprehje.
Sipas tij, sulmet e ekzekutivit ndaj mediave në këtë mandat kanë qenë shenjë e frikës.
“Është e turpshme dhe thellësisht shqetësuese që në vitin 2025, në zemër të një Republike që pretendon të jetë demokratike, qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje po kthehet në një makineri represive kundër lirisë së mendimit dhe fjalës së lirë. Në vend që të ballafaqohen me argumente, ata zgjedhin të etiketojnë, linçojnë dhe frikësojnë çdo zë kritik. Kjo është shenjë e frikës dhe paaftësisë, jo e forcës. Kemi dalë të fundit në Evropë për lirinë e shprehjes dhe të mendimit. Dhe kjo nuk është rastësi — është rezultat i drejtpërdrejtë i një qeverisjeje që e sheh mendimin ndryshe si kërcënim, jo si pasuri. LVV mund të kontrollojë institucionet, por nuk do të na kontrollojë mendjet. Nuk guxojm të heshtim. Do të vazhdojmë të kritikojmë dhe të denoncojmë çdo abuzim të pushtetit, sepse liria nuk është privilegj i partisë, por e drejtë e qytetarit”, ka vlerësuar ai.

















